Çfarë është në të vërtetë “Burevestnik”: Fantazma bërthamore e Putinit nga vitet ’60 që mund të ndryshojë rregullat e lojës

Presidenti rus Vladimir Putin, me raketën nënzëritëse Burevestnik (me kodin e NATO-s SSC-X-9 Skyfall), po përdor teknologji të vjetër raketash për t’i dërguar një mesazh të ri Perëndimit, shkruan The Wall Street Journal.

Projekti i frymëzuar nga “Pluto” amerikan

Burevestnik-u bazohet në projektin tashmë të braktisur amerikan “Pluto” nga vitet ’60. Shumica e analistëve perëndimorë e shohin këtë raketë më shumë si një simbol – të kushtueshme, të rrezikshme dhe me efikasitet të dyshimtë.
Nëse do të funksiononte ashtu siç pretendojnë Putin dhe shefi i tij i Shtabit të Përgjithshëm, Valerij Gerasimov, ajo do të mund të transportonte një kokë bërthamore në anën tjetër të globit, të qëndronte në ajër pothuajse pa kufi dhe të manovronte për të shmangur sistemet mbrojtëse kundërraketore.

Ekspertët: Një armë anakronike dhe e rrezikshme

Sipas The Wall Street Journal, ekspertët e vlerësojnë këtë armë si anakronike në shumë aspekte. Koncepti i raketave lundruese me energji bërthamore nuk është i ri – SHBA eksperimentoi me to që në vitet ’50, por projekti u braktis për shkak të rreziqeve të mëdha dhe vështirësive teknike.
“Ka qenë gjithmonë më shumë një projekt laboratorik sesa armë praktike. I mungon funksionaliteti dhe ka dobësi serioze,” tha Douglas Barry nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër. Ai shtoi se raketat nënzëritëse si Burevestnik janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj sistemeve moderne të mbrojtjes që mund t’i zbulojnë me saktësi.

Problemet teknike dhe dështimet e testimeve

Reaktori bërthamor i Burevestnik-ut, paradoksalisht, mund ta bëjë më të lehtë zbulimin e tij. Norvegjia raportoi se raketa e fundit u lëshua nga ishujt Nova Zemlja në Detin Barents.
Përveç kësaj, sistemi i shumëfishtë i shtytjes duhet të jetë i sinkronizuar në mënyrë të përsosur; çdo devijim mund të shkaktojë dështim katastrofik. Raketat përdorin motor me karburant të ngurtë për nisje, dy shtytës shtesë për përshpejtim dhe më pas reaktorin bërthamor për vazhdimin e fluturimit.

Nga premtimet e vitit 2018 te realiteti i hidhur

Putin e prezantoi për herë të parë këtë armë më 2018, në kohën e mandatit të parë të Donald Trump. Në animacionin e shfaqur, raketa dukej sikur fluturonte rreth globit duke anashkaluar sistemet mbrojtëse amerikane.
Por testimet reale treguan një pamje tjetër: raketa mund të fluturonte vetëm për disa minuta. Sipas burimeve të The Wall Street Journal, pas një serie dështimesh, ushtria ruse u detyrua të nxirrte raketat e fundosura nga ujërat arktike.
Në vitin 2019 ndodhi një shpërthim në një bazë testimi në Detin e Bardhë, ku humbën jetën pesë shkencëtarë bërthamorë dhe disa ushtarë. Ekspertët perëndimorë e lidhën incidentin pikërisht me testimet e Burevestnik-ut.

Që nga viti 2021 janë regjistruar rreth 13 testime, prej të cilave mbi 80% kanë dështuar. “Kjo raketë i ka kushtuar Rusisë shumë para dhe jetë njerëzish,” deklaroi për WSJ William Alberque, ish-ekspert i NATO-s për kontrollin e armëve.

Simbol politik më shumë se armë efektive

Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, rëndësia politike e Burevestnik-ut tejkalon shumë aftësitë e tij ushtarake reale.“Qëllimi kryesor është që Putini t’i tregojë presidentit amerikan se Moska mund të anashkalojë mbrojtjen raketore të SHBA-së,” tha Pavel Podvig nga Instituti i OKB-së për Kërkime të Çarmatimit. Megjithatë, ai thekson se ushtria ruse deri tani nuk ka dëshmuar se mund ta arrijë këtë.

Kategoritë
BotaLajme