Pas më shumë se dy vitesh bombardimesh, zhvendosjesh të dhunshme dhe urie, palestinezët po fillojnë të kthehen në veriun e Gazës, në zonat prej nga u dëbuan gjatë ofensivës izraelite. Në rrugët e rrënuara tashmë shihen buldozerë dhe makina të rënda që po përpiqen të pastrojnë rrënojat — një proces që, sipas vlerësimeve, mund të zgjasë me vite.
Ata që kthehen gjejnë vetëm mbetje, rrugë të shkatërruara dhe ndërtesa të rrafshuara.
“A është kjo Gaza? A është kjo ajo që ka mbetur prej saj? A është ky jetë? Po kthehemi pa shtëpi, pa strehë për fëmijët tanë, ndërsa dimri po afrohet. Nuk ka as ushqim, as ujë. Që nga dje nuk kemi gjetur as një pikë ujë për fëmijët,” – thotë Sherin Abu al-Yakhni, banore e kthyer në veri.
Një tjetër grua e zhvendosur, Farah Saleh, rrëfen:
“U kthyem më parë në veri dhe gjithçka ishte shkatërruar. Por këtë herë, ajo që pamë na tronditi. Sa më shumë që ecim, aq më e pabesueshme bëhet shkalla e shkatërrimit.”
Rikonstruksioni i Gazës është një detyrë pothuajse e pamundur — një proces që kërkon jo vetëm burime, por edhe qetësi të qëndrueshme, të cilën askush nuk mund ta garantojë ende. Megjithatë, për palestinezët që refuzojnë të dorëzohen, çdo hap përpara është një akt rezistence dhe mbijetese.
“Na duhen 20 herë më shumë buldozerë”
Punonjësi i ndërtimit Ali al-Attar, i cili drejton një buldozer në qytet, përshkruan situatën si “të pakonceptueshme”:
“Vetëm hapja e rrugëve do të zgjasë të paktën një muaj, që njerëzit të mund t’u afrohen shtëpive të tyre. Buldozerët janë në gjendje të keqe – ai që përdor unë rrjedh vaj dhe ka nevojë për riparime të mëdha. Sinqerisht, na duhen 20 herë më shumë buldozerë sesa kemi tani.”
Sipas autoriteteve lokale në Gaza, imazhet ajrore të Kombeve të Bashkuara tregojnë se vetëm në qytetin e Gazës janë shkatërruar rreth 41.000 njësi banimi — që përkthehet në më shumë se 8 milionë metra kub rrënoja.
Në një vend ku çdo rrugë, çdo ndërtesë dhe çdo familje mban plagët e luftës, shpresa për rindërtim është e brishtë, por e gjallë. Për palestinezët që kthehen, çdo gur i pastruar është një dëshmi se Gaza jeton ende.