Shpenzimet ushtarake botërore shënuan rritjen më të madhe në vitin 2024 që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, duke arritur në 2,7 trilionë dollarë, pasi luftërat dhe tensionet në rritje shtynë vendet të rrisin buxhetet e tyre, thonë studiuesit.
Shpenzimet ushtarake u rritën në të gjithë botën, me rritje të veçanta në Evropë dhe Lindjen e Mesme, sipas një raporti të ri të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SIPRI).
Në raport theksohet se disa vende evropiane regjistruan një rritje “të paprecedentë” të shpenzimeve ushtarake.
Në terma realë, shpenzimet globale u rritën me 9,4 për qind krahasuar me vitin 2023, duke e bërë vitin 2024 vitin e dhjetë radhazi me rritje të shpenzimeve.
Më shumë se 100 vende, duke përfshirë të 15 konsumatorët më të mëdhenj, rritën buxhetet e tyre ushtarake vitin e kaluar, thuhet në raport.
Kontributi kryesor në rritjen e shpenzimeve erdhi nga Evropa, përfshirë Rusinë, ku shpenzimet u rritën me 17 për qind, duke arritur në 693 miliardë dollarë.
Shpenzimet ushtarake të Rusisë arritën në 149 miliardë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 38 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe dyfishim në krahasim me vitin 2015. Shpenzimet ushtarake të Ukrainës u rritën me 2,9 për qind dhe arritën në 64,7 miliardë dollarë.
Shpenzimet e Gjermanisë u rritën me 28 për qind, duke arritur në 88,5 miliardë dollarë, duke kaluar Indinë dhe duke u bërë konsumatori i katërt më i madh në botë.
Konsumatori më i madh në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rriti shpenzimet për 5,7 për qind, duke arritur në 997 miliardë dollarë. Vetëm këto shpenzime përbëjnë 37 për qind të shpenzimeve ushtarake globale dhe 66 për qind të shpenzimeve ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s.
Buxhetet ushtarake gjithashtu u rritën ndjeshëm në Lindjen e Mesme, duke arritur në 243 miliardë dollarë, një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin 2023.
Ndërsa Izraeli vazhdoi ofensivën e tij në Gaza, shpenzimet ushtarake të tij u rritën me 65 për qind, duke arritur në 46,5 miliardë dollarë në vitin 2024. SIPRI thekson se kjo paraqet “rritjen më të madhe vjetore që nga Lufta Gjashtëditore e vitit 1967”.
Në të kundërt, buxheti ushtarak i Iranit ra me 10 për qind, duke arritur në 7,9 miliardë dollarë në vitin 2024, “pavarësisht pjesëmarrjes në konfliktet rajonale dhe mbështetjes së aleatëve rajonalë”, thuhet në raport.
“Sanksionet kanë ndikuar rëndë në aftësinë e Iranit për të rritur shpenzimet”, thotë SIPRI.
Konsumatori i dytë më i madh në botë, Kina, rriti buxhetin e saj ushtarak për 7,0 për qind, duke arritur në 314 miliardë dollarë, “duke shënuar tre dekada rritje të njëpasnjëshme”.
Kina — e cila po investon në modernizimin e ushtrisë së saj dhe në zgjerimin e kapaciteteve të saj në luftën kibernetike dhe arsenalin bërthamor — përfaqëson gjysmën e të gjitha shpenzimeve ushtarake në Azi dhe Oqeani.