Bordi Paqes i Trumpit pa fonde, vetëm tri vende kanë paguar

Bordi Paqes i Donald Trump ka marrë vetëm një pjesë të vogël nga 17 miliardë dollarët e premtuar për Gazën, gjë që po e pengon presidentin amerikan të vazhdojë zbatimin e planit të tij për të ardhmen e këtij territori të shkatërruar palestinez, raporton Reuters duke iu referuar burimeve.

Dhjetë ditë para se sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit ta shtynin rajonin drejt luftës, Trump organizoi në Washington një konferencë ku shtetet arabe të Gjirit premtuan miliarda për menaxhimin dhe rindërtimin e Gazës pas dy vitesh shkatërrimi nga Izraeli.

Plani parashikon rindërtim të gjerë të zonës bregdetare pas çarmatimit të grupit militant palestinez Hamas, sulmet e të cilit ndaj Izraelit nxitën luftën në Gaza, si dhe pas tërheqjes së trupave izraelite.

Fondet e premtuara dhe roli i NCAG

Fondet e premtuara janë menduar gjithashtu për financimin e aktiviteteve të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), një grup teknokratësh palestinezë i mbështetur nga SHBA-ja, i cili pritet të marrë kontrollin e Gazës nga Hamasi.

Komiteti i Paqes, në një reagim në rrjetet sociale pas publikimit të lajmit nga Reuters, mohoi problemet me financimin.

“S’ka kufizime në financim. Deri tani, të gjitha kërkesat janë përmbushur menjëherë dhe plotësisht”, thuhet në deklaratë.

Vetëm tri vende kanë paguar

Sipas një burimi me njohuri të drejtpërdrejta mbi punën e Bordit, nga dhjetë vendet që premtuan fonde, vetëm tre – Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku dhe vetë SHBA – kanë bërë realisht pagesa.

Sipas tij, deri më tani janë mbledhur më pak se 1 miliard dollarë. Lufta me Iranin “ka ndikuar në gjithçka”, duke përkeqësuar vështirësitë ekzistuese financiare.

Ai shtoi se NCAG nuk mund të hyjë në Gaza si për shkak të mungesës së fondeve, ashtu edhe për arsye sigurie.

“Aktualisht nuk ka para”

Një tjetër burim, zyrtar palestinez, tha se Bordi i ka njoftuar Hamasin dhe fraksione të tjera palestineze se NCAG nuk mund të hyjë aktualisht në Gaza për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

“Për momentin nuk ka para në dispozicion”, citohet të ketë thënë i dërguari i Bordit, Nickolaj Mladenov.

Ndërkohë, Hamasi ka deklaruar disa herë se është i gatshëm të dorëzojë administrimin tek NCAG.

Sipas institucioneve ndërkombëtare, rindërtimi i Gazës – ku rreth katër të pestat e ndërtesave janë shkatërruar gjatë dy viteve të bombardimeve izraelite – pritet të kushtojë rreth 70 miliardë dollarë.

Kategoritë
BotaLajme