Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pas incidentit të ndodhur të premten mes deputetit Armend Zemaj dhe një qytetari, duke rikujtuar fyerjen që ministrja Albulena Haxhiu dhe fjalët që Alban Krasniqi ia kishin bërë, Kadri Veselit, vite më parë.
Deliu tha se se si për vite me radhë, eksponentë të LVV-së kanë përdorur gjuhë fyese, përçmuese dhe nxitëse ndaj kundërshtarëve, gazetarëve dhe institucioneve.
“Sot po e shohim se heshtja ndaj dhunës, fyerjeve dhe përbuzjes nuk është mençuri, është dëm për të gjithë ne” shkruan Deliu-Kodra raporton “Gazeta Blic”.
Para shumë vitesh, Albulena Haxhiu, nga foltorja e Kuvendit, iu drejtua Kadri Veselit me fjalët: “Ti je kriminel.” Më vonë, një tjetër përfaqësues i VV-së, Alban Krasniqi, sot me pozicion publik në institucione shtetërore, shkroi publikisht: “Pastë dorën e marë ai që merr në shenjë,” duke iu referuar po ashtu Kadri Veselit.
E ne, që ishim në anën tjetër, shpesh kemi zgjedhur heshtjen, duke besuar se durimi dhe heshtja janë forcë. Sot po e shohim se heshtja ndaj dhunës, fyerjeve dhe përbuzjes nuk është mençuri, është dëm për të gjithë ne. Dhuna, qoftë fizike apo verbale, nuk ndërton shtet. Dhuna sjell dhunë, dhe për këtë, faj kemi të gjithë.


















