Bisedimet dështuan, kërcënimet filluan: Trump sugjeron se do të përdorë “kartën më të fortë” nëse Irani nuk pranon kërkesat

Pasi bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad përfunduan pa marrëveshje, presidenti amerikan Donald Trump publikoi në platformën e tij Truth Social një tekst që sugjeron se mund të vendosë një bllokadë detare ndaj Iranit nëse ky vend nuk pranon kërkesat amerikane.

Artikulli me titull “Karta e Trumpit që presidenti mban nëse Irani nuk bindet: bllokada detare”, i publikuar nga media pro-Trump Just the News, thekson se një bllokadë e tillë do të godiste ekonominë iraniane dhe do të ushtronte presion mbi aleatët e Iranit – Kinën dhe Indinë, të cilat varen nga eksportet iraniane të naftës.

Në tekst thuhet se një veprim i tillë do të ishte një “përsëritje e strategjisë së suksesshme të bllokadës” së Trumpit, pasi një bllokadë e mëparshme detare kishte “gjunjëzuar ekonominë venezueliane” përpara kapjes së liderit venezuelian Nicolas Maduro nga SHBA në janar.

Kujtojmë se SHBA dhe Irani nuk arritën marrëveshje në Islamabad dhe nënpresidenti amerikan JD Vance u largua nga Pakistani pas 21 orësh negociata.

“Mendoj se këto janë lajme më të këqija për Iranin sesa për Shtetet e Bashkuara. Kështu që po kthehemi në SHBA pa arritur marrëveshje”, tha Vance gjatë largimit.

Nga ana tjetër, pala iraniane pretendon se kjo është një lajm më i keq për SHBA-në dhe se ata “nuk kanë ngut” për të arritur një marrëveshje.

Kategoritë
BotaLajme