Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pasur prej kohësh synimin për të hyrë në luftë me Iranin, me qëllimin që të sigurojë qëndrimin e përhershëm në pushtet.
“Netanyahu dëshiron këtë luftë që prej shumë kohësh, sepse ajo do t’i lejonte të mbetej gjithmonë në pushtet. Dua të them, ai ka qenë në atë pozitë për pjesën më të madhe të 20 viteve të fundit”, tha Clinton.
Clinton shtoi se ka këshilluar presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump, që të ndërhyjë për të qetësuar situatën mes Izraelit dhe Iranit dhe të ndalë vrasjen e vazhdueshme të civilëve.
“Mendoj se duhet të përpiqemi ta qetësojmë këtë situatë dhe shpresoj që presidenti Trump do ta bëjë një gjë të tillë”, u shpreh ai.
Sipas Clintonit, as Netanyahu e as Trump nuk duan realisht të shkaktojnë një katastrofë rajonale të plotë, por theksoi se SHBA duhet të mbrojë aleatët e saj në rajon duke treguar përmbajtje dhe duke shmangur luftëra të padeklaruara, ku viktimat kryesore janë civilët e pafajshëm.
“Duhet t’u japim aleatëve tanë në Lindjen e Mesme siguri se do të qëndrojmë pranë tyre, por zgjedhja e luftërave të padeklaruara, ku vriten civilë që nuk janë të përfshirë politikisht dhe duan vetëm të jetojnë me dinjitet, nuk është një zgjidhje e mençur”, tha ish-presidenti amerikan.
Kujtojmë se presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se do të marrë vendimin për përfshirjen e mundshme të SHBA-së në këtë luftë brenda dy javësh.
Megjithatë, që nga fillimi i konfliktit – i nisur nga sulmet izraelite – SHBA ka ofruar mbështetje logjistike për Izraelin.