Një nga tingujt më të zakonshëm që dëgjohet kohët e fundit në Çikago dhe në qytete të tjera amerikane është ai i bilbilit plastik, i cili është shndërruar në një simbol të rezistencës kundër politikës së migracionit të presidentit amerikan Donald Trump, shkruan agjencia ReutersNë këtë mënyrë, aktivistët dhe banorët që kundërshtojnë politikat e deportimeve masive sinjalizojnë afrimin e agjentëve të ICE-it (Agjencia Amerikane për Imigracion dhe Dogana), duke u dhënë punëtorëve pa dokumente ose personave që mund të jenë në shënjestër për shkak të origjinës apo ngjyrës së lëkurës, kohë për të ikur e shmangur arrestimin.
Përveç kësaj, tingulli i bilbilit shërben si thirrje për qytetarët amerikanë që duan të dokumentojnë arrestimet dhe të shprehin protestën e tyre kundër këtyre aksioneve.
Aksione të armatosura dhe reagim popullor
Operacionet agresive për zbatimin e ligjeve të imigracionit, të cilat nuk kanë afat përfundimi, kanë shkaktuar zemërim dhe protesta masive në shumë qytete amerikane.
Qindra agjentë federalë janë dislokuar në Çikago dhe rrethinat e saj, shpesh të armatosur me pushkë automatike dhe të veshur me uniforma ushtarake.
Raportohet se agjentët kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, janë zbritur me litar nga helikopterë Black Hawk për të hyrë në ndërtesa banimi, kanë nxjerrë imigrantë nga automjetet, i kanë mbajtur njerëzit nën tytat e armëve dhe kanë qëlluar mbi dy persona – njëri prej të cilëve ka humbur jetën.
Përballë kësaj force të militarizuar, bilbilat janë shndërruar në një mjet të thjeshtë, por simbolikisht të fuqishëm të rezistencës civile.
“Kjo u përhap si zjarr. Nëse duhet të patrullojmë lagjen tonë për tre vitet e ardhshme, do ta bëjmë për ta mbrojtur komunitetin tonë,” tha për Reuters Baltazar Enriquez, kryetar i Këshillit të Komunitetit Little Village, një organizatë në njërën nga lagjet më të mëdha latinoamerikane të Çikagos.
Simbol i rezistencës komunitare
Grupi i tij filloi gjatë verës të shpërndante bilbila falas për banorët e lagjes. Falë promovimit të vazhdueshëm, bilbili u bë simbol i qëndresës kundër ICE-it në Çikago.
Vullnetarët dhe grupet aktiviste lokale i shpërndanin bilbilat nëpër festivale, parada dhe bibliotekat komunitare, ndërsa shumë qytetarë i porosisnin përmes rrjeteve sociale ose dyqaneve online si Amazon, ku çmimi i tyre është minimal.
Thjeshtësia dhe kostoja e ulët e bënë bilbilin mjet të përhapur në rrugë e në protesta, edhe pse efekti praktik kundër njësive të armatosura të ICE-it mbetet i kufizuar.
Në një lagje tjetër në veri të Çikagos, banorët dolën nga shtëpitë e tyre kur panë agjentët e ICE-it që po ndalonin një grup kopshtarësh. Tingujt e bilbilave dhe thirrjet e tyre arritën të mbledhin turmën dhe të regjistrojnë emrat e të ndaluarve, për t’ia dërguar organizatave për të drejtat e imigrantëve — por, megjithatë, dy persona u arrestuan dhe u dërguan nga agjentët.