Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili udhëheq partinë e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, kërcënon se do të largohet nga qeveria nëse Hamasi “vazhdon të ekzistojë” pas lirimit të pengjeve në përputhje me planin e Trumpit për përfundimin e luftës në Gaza.
Sipas planit të presidentit amerikan Donald Trump, pas lirimit të të gjithë pengjeve të mbetur, anëtarët e Hamasit që “angazhohen për bashkëjetesë paqësore dhe çaktivizim të armëve do të amnistohen”, ndërsa ata që dëshirojnë të largohen nga Gaza do të kenë kalim të sigurt.
Nuk është e qartë nëse Ben Gvir mendon se do të largohet nga qeveria edhe nëse Hamasi e përmbush këtë dispozitë të marrëveshjes së propozuar.
“Në dritën e ngjarjeve të fundit, unë dhe Otzma Yehudit ia kemi bërë të qartë kryeministrit – nëse pas lirimit të pengjeve organizata terroriste Hamas vazhdon të ekzistojë, Otzma Yehudit nuk do të jetë pjesë e qeverisë,” deklaroi Ben Gvir.
Ai tha se nuk do të bëhet pjesë e një disfate kombëtare që do të mbetet turp i përhershëm dhe që do të shndërrohet në një bombë të kurdisur për masakrën e radhës.
Ministri i ekstremit të djathtë tha se në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohet me një skenar në të cilin Hamasi do të mund të rindërtohet.