Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ai është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Në një deklaratë të zëdhënësit të BE-së, thuhet se Bashkimi Evropian ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015.
“Ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara shkon kundër obligimeve ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”, thuhet në deklaratë.
E-ja thekson se Dhomat e Specializuara veprojnë në kuadër të sistemit juridik të Kosovës dhe se mandati dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet më tej.
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe për të siguruar llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në reagim, BE-ja ka kërkuar gjithashtu që të garantohet mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor.
