BE-ja reagon ndaj miratimit të Ligjit për Specialen: Është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës

BE-ja reagon ndaj miratimit të Ligjit për Specialen: Është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës, duke vlerësuar se ky vendim bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Në një deklaratë të publikuar sot, më 8 tetor 2026, nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), thuhet se Bashkimi Evropian ka mbështetur vazhdimisht punën e Gjykatës Speciale si institucion i pavarur gjyqësor.

“Ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratë.

BE-ja rikujton se Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014–2015, funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës dhe janë të përfshira në Kushtetutën e vendit.

Sipas BE-së, mandati aktual dhe pavarësia e këtij institucioni duhet të respektohen plotësisht.

“Dhomat e Specializuara po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, theksohet më tej në deklaratë.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që t’i respektojë obligimet ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara.

Po ashtu, BE-ja kërkon që të vazhdojë angazhimi për llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në fund të reagimit, Bashkimi Evropian thekson se duhet të garantohet mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve.

Ky reagim vjen pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat kanë nxitur diskutime lidhur me kompetencat dhe funksionimin e Gjykatës Speciale.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi