Balotazhi afrohet, asnjë koalicion në Prishtinë e Mitrovicë: Kush me kë po tenton e po bashkëpunon në komunat tjera

Partitë kryesore po i afrohen balotazhit pa koalicion në komuna të mëdha si Prishtina, Mitrovica e Gjilani. Në Gjakovë e Pejë, LVV-ja po ofron marrëveshje e pozita për koalicion. Në disa komuna të tjera tashmë partitë kanë arritur disa marrëveshje.

Gazeta Express

Liderët e partive politike do të shkojnë në një takim të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për nesër në mesditë, ndërsa përpjekjet e para për formimin e një qeverie të re gati nëntë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dështuan.

Albin Kurti, që ishte i mandatuari i parë për formimin e qeverisë së re, nuk arriti ta krijonte një shumicë të re parlamentare në Kuvend të dielën.

Partitë politike parlamentare tani po shohin drejt zgjedhjeve, ashtu siç thonë tani edhe në LVV, PDK, LDK, AAK e Nisma.

Por para zgjedhjeve të reja parlamentare, një rund i dytë dhe përcaktues për udhëheqjen e 18 komunave të vendit i pret këto parti më 9 nëntor.

Në komunat e mëdha si Prishtina, Mitrovica e Gjilani dihet më pak për diskutimet ndërmjet partive politike për ndonjë koalicion të mundshëm dhe ende nuk ka ndonjë marrëveshje të bërë publike.

Në kryeqytet, Përparim Rama që mori 33.71% të votave, tha dje se ka koalicion me “qytetarët dhe me të gjithë ata që besojnë në vizionin tonë”. As kundërkandidati i tij nga LVV-ja, Hajrulla Çeku, që mori 33.21% të votave, nuk ka bërë të ditur lidhjen e ndonjë koalicioni.

Ngjashëm qëndron situata edhe në Mitrovicë, ku kandidati i LVV-së, Faton Peci, që mori 47.94% të votave dhe kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, që mori 47.57%, do të garojnë për karrigen e kryetarit.

Kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni i LVV-së, shpreson ta rrisë mbështetjen e marrë në rundin e parë të garës, ku mori 49.80%. Kundërkandidati i tij nga LDK-ja, Arbër Ismajli, ka marrë 34.29%.

Në Gjakovë, Ardian Gola i LVV-së që ka marrë 31.89%, po kërkon t’ia marrë udhëheqjen e komunës kryetarit aktual, Ardian Gjinit të AAK-së, i cili ka marrë 47.53% të votave. Ai ia ka dërguar sot një ftesë publike LDK-së atje, kandidati i së cilës, Shefqet Shehu ka marrë 7.94% të votave.

Gola i thotë Shehut se “në vend të vazhdimit të status quo-së që i mban qytetarët peng të pak duarve, bashkë me LDK-në mund ta kthejmë Gjakovën në shembull të një rotacioni demokratik për tërë Kosovën”, siç i ka shkruar në letrën e bërë publike. Një takim për zyrtarizimin e marrëveshjes është kërkuar në fund të saj.

Kandidati i LVV-së për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, i cili ka marrë 27.78% të votave në rundin e parë të 12 tetorit, synon t’ia marrë udhëheqjen e komunës kryetarit aktual, Gazmend Muhaxherit të LDK-së i cili ka marrë 46.25% të votave.

Në këtë përpjekje, ai ka njoftuar së fundmi se ia ka dërguar një ftesë për koalicion kryetarit të AAK-së në Pejë, Ali Berishës, i cili në rundin e parë doli i treti me 18.21% të votave.

LVV në Pejë i ka ofruar publikisht AAK-së marrëveshje për “prioritizimin e projekteve për 4 vite qeverisje”, postin e kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe 6 drejtori komunale. Një takim i kërkuar mes përfaqësuesve të këtyre dy partive atje nuk duket se ka ndodhur ende, apo të paktën nuk është bërë i ditur.

Bashkëpartiaku i Golës e Kelmendit i cili garon për kryetar të Prizrenit, ka nënshkruar tashmë marrëveshje për koalicion me AAK-në, kandidati i së cilës mori 3.47% të votave në rundin e parë. Artan Abrashi, i cili ka marrë 30.39% të votave në rundin e parë, ka nënshkruar marrëveshje edhe me Partinë Rome të Bashkuar të Kosovës.

Shaqir Totaj i PDK-së, kryetari aktual i Prizrenit që synon një tjetër mandat në krye të kësaj komune, mori 41.45% të votave në rund të parë.

Në disa komuna më të vogla, partitë kryesore, LVV, PDK, LDK e AAK kanë mundur t’i bëjnë disa marrëveshje për koalicion.

Kandidati i LVV-së për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i cili mori 45.15% të votave, më 19 tetor e zyrtarizoi marrëveshjen për koalicion me AAK-në atje. Kandidatja e këtij subjekti politik, Vildane Latifi, kishte marrë vetëm 1.20% të votave.

Një koalicion më të madh në këtë komunë e arriti Besnik Osmani i LDK-së – kundërkandidati i Prebrezës, i cili në rundin e parë ka marrë 36.66% të votave. Ai nënshkroi marrëveshje me PDK-në, kandidati i së cilës, Rrahim Tërnava mori 16.15% të votave, si dhe me Nismën dhe Partinë Liberale Egjiptiane, që nuk kanë pasur kandidat për kryetar.

Në Vushtrri, kandidati i LDK-së për kryetar të komunës, Xhafer Tahiri, vendosi që ta nënshkruante një marrëveshje koalicioni me LVV-në, për ta mbështetur në rundin e dytë kandidatin e kësaj partie, Sylejman Mehollin, i cili u rendit i dyti me 30.81% të votave.

LDK-ja e kundërshtoi këtë koalicion, që tha se u bë pa miratim nga qendra dhe ndaj Tahirit, i cili mori 19.84% të votave, është paralajmëruar se do të merren masa pas balotazhit. Marrëveshja lokale atje konsiderohet e pavlerë nga kryesia në qendër.

Ferit Idrizi, kandidati i PDK-së në Vushtrri dhe kryetari aktual i komunës i cili në rundin e parë mori 45.24%, ka thënë se koalicionin e ka “me qytetarët”.

Agron Kuçi, kandidati i AAK-së, në rundin e dytë të garës për kryetar të Junikut ka mbështetjen e LVV-së atje. Ai mori 38.88% të votave në rundin e parë, ndërsa pas marrëveshjes së zyrtarizuar për koalicion, shpreson në 11.80% të votave të cilat kandidati i LVV-së atje, Jetmir Tofaj i mori në rundin e parë të zgjedhjeve.

Kandidati i LDK-së në Junik, Ruzhdi Shehu, ka marrë 48.89% të votave në rundin e parë.

Dragashi, Kaçaniku, Klina, Obiliqi, Rahoveci, Suhareka, Vitia, Mamusha dhe Kllokoti janë komunat ku gjithashtu do të ketë një garë të dytë finale në balotazh.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi