Ballina e një reviste me ndikim politike britanike: “Fundi i perandorisë amerikane”

Një nga revistat më të njohura politike britanike, The New Statesman, ka publikuar një analizë me titull “Fundi i perandorisë amerikane”, të autorit John Gray, ku kritikohet ashpër politika e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit.

Gray thekson se ajo që Trump e quajti “një ekskursion i vogël” në Iran është shndërruar në një dështim serioz strategjik dhe një “marshim drejt katastrofës”.

Sipas tij, operacioni ushtarak amerikan, i cili fillimisht synonte të pengonte Iranin në zhvillimin e kapaciteteve bërthamore – për të cilat Trump më herët kishte deklaruar se janë “shkatërruar” – tani është reduktuar në përpjekje për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit dhe për ta kthyer situatën në gjendjen para konfliktit.

Autori paralajmëron se një kthim i tillë nuk është më i mundur.

“Trump nuk mund të shpallë fitore dhe të tërhiqet pa ia lënë Iranit një nga kalimet detare më të rëndësishme”, thekson Gray. Ai shton se pikërisht Irani, falë aftësisë për të ndikuar në ekonominë globale, tashmë ka nisur procesin që ai e quan “shpërbërja përfundimtare e fuqisë perandorake amerikane”.

Në tekst theksohet se lufta në Lindjen e Mesme ka minuar bazat financiare të hegjemonisë amerikane. Pavarësisht rezultatit të konfliktit, sipas Gray, Irani do të rishfaqet si një fuqi e madhe me rol vendimtar në ekonominë globale të naftës, veçanërisht si kontrollues i kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Ai paralajmëron gjithashtu për mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm. Nëse Trump vendos “ta përfundojë punën” me një operacion tokësor, SHBA-të mund të përfshihen në një konflikt më të madh se luftërat në Vietnam, Afganistan dhe Irak së bashku.

Gray vlerëson se edhe aleanca transatlantike është tronditur rëndë. Edhe pse NATO ekziston formalisht, ai e konsideron atë funksionalisht jofunksionale, ndërsa SHBA-të po largohen gjithnjë e më shumë nga Evropa dhe po rikthehen në një kurs gjeopolitik të periudhës para Luftës së Parë Botërore.

Analiza trajton edhe pasojat globale, veçanërisht në kontekstin e Rusisë dhe Kinës. Autori paralajmëron se kjo situatë mund t’u japë mundësi liderëve si Vladimir Putin dhe Xi Jinping të forcojnë më tej pozitat e tyre, qoftë përmes operacioneve hibride në Evropë apo përmes zgjidhjes së çështjes së Tajvanit pa një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në fund, Gray shkon edhe më tej, duke argumentuar se politika e Trump nuk mund të shpjegohet vetëm me gjeopolitikë, por edhe me modele psikologjike të sjelljes. Duke iu referuar teorive të Sigmund Freud-it, ai e përshkruan veprimin e Trump si “detyrim për përsëritje”, një përpjekje e pavetëdijshme për të riformuar të kaluarën dhe për të konfirmuar pushtetin e tij.

“Në një kuptim më të thellë sesa zakonisht pranohet, Donald Trump nuk e di se çfarë po bën”, përfundon Gray, duke e cilësuar këtë ndërhyrje amerikane si “pikë pa kthim” në tërheqjen e SHBA-ve si fuqi globale.

Kategoritë
BotaLajme