Artistët e rrugës gjallërojnë jetën në Tiranë

Artistë të moshave të ndryshme luajnë muzikë me instrumentet e tyre, duke përfshirë kitarën, violinën, buzukun, klarinetën, fizarmonikën dhe instrumente të tjera, por ka edhe artistë që krijojnë “studiot” e tyre të pikturave.

Si në shumë metropole të botës edhe Tirana ka artistët e saj të rrugës, të cilët në vitet e fundit janë bërë pjesë e pandashme e kryeqytetit, nisur edhe nga pasioni i tyre, por edhe për të siguruar të ardhura.

Artistë të moshave të ndryshme luajnë muzikë me instrumentet e tyre, duke përfshirë kitarën, violinën, buzukun, klarinetën, fizarmonikën dhe instrumente të tjera, por ka edhe artistë që krijojnë “studiot” e tyre të pikturave, duke gjallëruar sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë në një periudhë të vështirë pandemie.

Më shumë artistët e rrugës i gjen në qendër të Tiranës, kryesisht në zonë e quajtur Pedonale, në Sheshin Skënderbeu dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga qytetarët, ku muzikantët shpesh edhe improvizojnë “mini koncerte” me ndjekësit e tyre apo piktorët shesin punimet e tyre.

Arti i rrugës gjallëron jetën e kryeqytetit

Spartak Dishnica nga Tirana, 71-vjeç, ka mbi 20 vite që merret me muzikë dhe artin e rrugës e shikon si një kënaqësi për veten e tij, por edhe për qytetarët, si dhe një mundësi për të ardhura. Duke folur për Anadolu Agency (AA), ai shprehet se ka një dëshirë të madhe ta vazhdojë këtë art.

 

 

“Kur dal këtu dhe bëj një interpretim dhe shoh që njerëzit dëgjojnë më jep kënaqësi, edhe mua si muzikant amator. Edhe ana ekonomike na detyron të dalim. Muzika është diçka interesante dhe muzika nuk ka moshë, është kënaqësi dhe ju jep kënaqësi dhe të tjerëve. Nëse bën diçka të bukur kënaqesh kur sheh një reagim, një buzëqeshje”, tregon Dishnica.

Ai, i shoqëruar nga kitara e tij këndon serenata korçare, bën muzikë shkodrane, muzikë të lehtë shqiptare, por edhe këndon këngë spanjolle, angleze dhe italiane, si dhe tregon se interesi i qytetarëve i sjell atij emocione të veçanta.

Pjesë e këtij mozaiku artistësh është edhe Fabio Stoli, 27-vjeç, i cili studion fagot në Akademinë e Arteve në Tiranë, ndërkohë është pjesë e artit të rrugës prej 13 vitesh me performancat e tij muzikore në violinë.

Për AA Stoli tregon se një nga arsyet kryesore që ai ka zgjedhur artin në rrugë është se ndihet shumë i lirë për të bërë muzikën që ai dëshiron, sipas tij pa ndonjë lloj kriteri të veçantë.

“Emocioni që marr nga njerëzit është shumë herë më i madh dhe normalisht më pozitiv sesa ku kam luajtur në bare, restorante apo evente të ndryshme. Siç është arti në opera, apo arti në cirk apo në çdo vend tjetër, kështu është edhe arti i rrugës, po kaq i rëndësishëm”, shprehet ai.

Në mesin e artistëve të rrugës është Gazment Suku, 33-vjeç, i cili prej 5 vitesh performon në rrugët e Tiranës me kitarë muzike të lehtë shqiptare, si dhe këndon këngë shqiptare, por edhe të huaja.

 

“E ushtroj këtë profesion sepse dua të tregoj talentin që Zoti më ka dhënë dhe njerëzit t’i kënaq me aftësitë që unë kam. E shikoj në të dyja aspektet, sepse për mua është shumë e rëndësishme edhe muzika edhe puna”, shprehet Suku për AA.

Ai tregon se ndihet i gëzuar dhe i lumtur kur shikon reagimin e qytetarëve që pëlqejnë artin e tij. “Vlerësimi është si një arome lulesh”, tregon Suku për AA.

Artin e rrugës në Tiranë e ka zgjedhur edhe Alban Maloku, i cili prej 5 vitesh performon me buzuk në qendër të kryeqytetit, duke tërhequr edhe vëmendjen e turistëve. Ai e shikon këtë mundësi arti edhe si mundësi për të ardhura, nisur nga kufizimet e shumta që kanë pasur eventet muzikore për shkak të pandemisë COVID-19.

Po ashtu edhe Shyqyri Hashimi, 67-vjeç, prej 50 vitesh i bie fizarmonikës. Ai tregon se fillimisht i ka lindur si pasion, por më pas e ka shikuar në vitet e fundit edhe si një mundësi për të mbledhur të ardhura. Ai ka marrë pjesë edhe në ngjarje të ndryshme me artistë të tjerë, ndërsa shprehet se për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) është i detyruar të dalë më shpesh për të mbledhur të ardhura, për shkak të mungesës së ngjarjeve ku ai merrte pjesë më parë.

Piktorët, pjesë e artit të rrugës në Tiranë

Ndërkohë, pjesë e artit të rrugës janë edhe piktorët të cilët me krijimtarinë e tyre krijojnë “studiot e hapura” në kryeqytet, duke tërhequr interesin e artdashësve, por edhe të turisteve dhe blerësve të punimeve të tyre.

Njëra prej tyre është edhe Adriana Puleshi, e cila është një piktore në krijimtari të lirë që gjatë stinës së verës ajo ushtron artin e saj edhe në rrugë, në një nga zonat e frekuentuara edhe nga turistët, siç është Pedonalja.

 

“Është një rrugë e bukur, me pemë dhe ka një lloj romaticizmi. Njerëzit këtu vijnë enkas për të shëtitur dhe turistët këtu kalojnë dhe pse jo të mos dalim të hapim studion tonë në natyrë. Kjo rrit mundësinë për të pasur kontakt me artin. Këtu lindin shumë kontakte, kontaktojmë njerëz shumë interesantë, shqiptarë dhe të huaj, artdashës, si dhe ka bashkëpunime të ndryshme”, shprehet ajo.

Një pjesë të punimeve ajo i realizon në Pedonale, kryesisht portrete, ndërsa në punimet e saj ajo tregon se si temë mbizotëron folklori shqiptar. Punimet ajo i realizon me akrilik, pastel, karbon, laps dhe mjete të tjera.

“Kjo rrugë do ishte mirë të ishte rruga e artistëve dhe njerëzit ta dinin se këtu ka artistë, ka piktura, ka muzikë, ka balet, pse jo çdo gjë si çdo kryeqytet në botë që janë sheshe ku rrinë artistët, të bëhet një vend arti dhe është një rrugë e përsosur për këtë gjë”, thekson Puleshi.

Ajo ka marrë pjesë në disa ekspozita dhe simpoziume në Shqipëri, Turqi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mali të Zi, Itali dhe Arabi Saudite.

Artur Bushi është një tjetër piktor i cili e ushtron artin e pikturës prej mbi 40 vitesh, ndërsa artin në rrugë prej 10 vitesh. “Më pëlqeu sepse ka diçka të veçantë, krijon një lloj sadisfaksioni që nuk e krijon as studio, as ai arti klasik që themi ne. Ka të papriturën, ka atë momentin që vjen ai klienti i zakonshëm. Këtu ka dhe një të mirë, testohen të gjitha shtresat”, shprehet ndër të tjera Bushi.

 

 

Bushi në përgjithësi krijon punime në grafikë dhe portret, ndërsa punimet i realizon mbi dru, laminat dhe karton.

Kategoritë
KulturëLajmeRajoni