Arsimi nuk është garë, por e drejtë njerëzore” – Unioni i të Diplomuarve në Turqi kundërshton kriteret e MAShTI-t për bursa

Unioni i të Diplomuarve në Turqi ka reaguar ndaj thirrjes së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për skemat e bursave për vitin akademik 2025/2026, duke shprehur shqetësime për kriteret që, sipas tyre, rrezikojnë parimin e barazisë në arsim.

Në deklaratën e tyre, ata theksojnë se kufizimi i bursave për studime jashtë vendit vetëm për studentët që ndjekin universitetet e listuara nga “Times Higher Education” bie ndesh me parimin e mundësive të barabarta.

“Në mbarë botën ekzistojnë universitete të respektuara që nuk janë pjesë e këtyre listave, por që formojnë gjenerata profesionistësh të suksesshëm – përfshirë edhe shumë të rinj nga Kosova”, thuhet në reagim.

Sipas Unionit, arsimi nuk duhet të trajtohet si garë, por si e drejtë njerëzore që shteti duhet ta garantojë për çdo të ri, pavarësisht prejardhjes apo mundësive ekonomike. Ata theksojnë se mbështetja e shtetit duhet të shtrihet jo vetëm te ata që kanë mundur të ndjekin universitete elitare, por edhe te studentët që përballen me kushte më të vështira financiare.

“Cilësia në arsim nuk matet me renditje, por me përkushtimin e studentit, idealizmin e mësuesit dhe mbështetjen e shoqërisë”, thuhet tutje në deklaratë.

Unioni i bën thirrje MAShTI-së që të zgjerojë kriteret e bursave, duke i bazuar jo vetëm në renditje ndërkombëtare, por edhe në merita akademike, kontribut shoqëror dhe nevoja ekonomike. Po ashtu, ata kërkojnë që të njihet dhe të mbështetet kontributi i diasporës arsimore kosovare, përfshirë studentët që studiojnë në rajon, në Turqi dhe në vende të tjera.

Në përfundim, Unioni i të Diplomuarve në Turqi rithekson përkushtimin për të mbrojtur parimin e barazisë në arsim dhe për të promovuar mundësi të barabarta për çdo student kosovar.

Deklarata e plotë

Deklaratë për Media: Barazia në Arsim është e Drejtë Themelore e Çdo Studenti

Prishtinë, Tetor 2025

Si komunitet i Të Diplomuarve në Turqi, e kemi shqyrtuar me kujdes thirrjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për skemat e bursave për vitin akademik 2025/2026.

Duke vlerësuar synimin për të mbështetur ekselencën akademike, megjithatë, ndjejmë detyrimin të theksojmë se disa kritere mund të ngrenë shqetësime serioze për barazi dhe gjithëpërfshirje në sistemin tonë arsimor.

Fakti që bursat për studimet jashtë vendit kufizohen vetëm për studentët që studiojnë në universitetet e listuara nga “Times Higher Education”, bie ndesh me parimin e mundësive të barabarta. Në mbarë botën ka institucione shumë të respektuara që nuk janë pjesë e këtyre listave, por që formojnë gjenerata të tëra profesionistësh të suksesshëm – përfshirë edhe shumë të rinj nga Kosova.

Arsimi nuk është garë, por e drejtë njerëzore.

Detyra e shtetit është të mbështesë jo vetëm ata që kanë pasur mundësi të arrijnë universitetet elitare, por edhe të rinjtë që përballen me kushte më të kufizuara ekonomike, por që kanë të njëjtën dëshirë dhe përkushtim për t’i shërbyer vendit.
Ne, që kemi pasur mundësinë të studiojmë në Turqi, e dimë mirë se cilësia në arsim nuk matet vetëm me renditje, por me përkushtimin e studentit, idealizmin e mësuesit dhe mbështetjen e shoqërisë.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje MAShTI dhe institucioneve përgjegjëse që:
Të zgjerojnë kriteret e bursave, duke i bazuar jo vetëm në renditje ndërkombëtare, por edhe në merita akademike, kontribut shoqëror dhe nevoja ekonomike;
Të njohin dhe mbështesin kontributin e diasporës arsimore kosovare, përfshirë studentët që studiojnë në rajon, në Turqi dhe vende të tjera;
Të udhëhiqen nga parimi i drejtësisë dhe solidaritetit, dhe jo nga ai i privilegjit.
Ne, Të Diplomuarit në Turqi, besojmë në potencialin e çdo të riu kosovar dhe do të vazhdojmë të mbrojmë parimin e barazisë në arsim dhe të drejtës për mundësi të barabarta për të gjithë.
Unioni i Të Diplomuarve në Turqi
Prishtinë, 7 Tetor 2025

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi