Në deklaratën e përbashkët, ministrat e Jashtëm të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Republikës së Turqisë, Republikës Arabe të Egjiptit, Republikës së Indonezisë, Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Republikës Islamike të Pakistanit, Shtetit të Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe shprehën dënimin më të ashpër ndaj veprimeve të autoriteteve pushtuese izraelite.
Ministrat paralajmëruan se masat e vazhdueshme të Izraelit po e forcojnë më tej sistemin e aparteidit dhe po promovojnë një retorikë përjashtuese që mohon të drejtat e patjetërsueshme të popullit palestinez dhe ekzistencën e tij në territoret e pushtuara.
U theksua se ky ligj përbën një përshkallëzim të rrezikshëm, veçanërisht për shkak të zbatimit diskriminues ndaj të burgosurve palestinezë, dhe se mund të rrisë më tej tensionet dhe të rrezikojë stabilitetin rajonal.
Në deklaratë u shpreh gjithashtu shqetësim i thellë për gjendjen e të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, duke paralajmëruar për rreziqe në rritje si pasojë e, sipas tyre, raporteve të besueshme për shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut, përfshirë torturën, trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues, urinë e detyruar dhe mohimin e të drejtave themelore.
Ministrat përsëritën refuzimin e politikave izraelite që, sipas tyre, bazohen në diskriminim racor, represion dhe agresion ndaj popullit palestinez.
Në fund, ata bënë thirrje për përmbajtje nga masa që rrisin më tej tensionet, duke theksuar nevojën për përgjegjësi dhe intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.