Amerikanët humbën një dron me vlerë 238 milionë dollarë mbi Ngushticën e Hormuzit: e pranuan vetëm pas shtatë ditësh

Shërbimi i Sigurisë i Marinës së SHBA-së konfirmoi humbjen e dronit zbulues MQ-4C Triton më 9 prill, duke e klasifikuar incidentin si aksident të klasës A, që nënkupton dëme mbi 2 milionë dollarë dhe pa të lënduar në personel.

Vendndodhja e incidentit nuk është bërë publike për arsye sigurie operative, por droni është gjurmuar për herë të fundit duke fluturuar në hapësirë ajrore ndërkombëtare në drejtim të Iranit. Nuk ka prova se ka rënë në territorin iranian.

Droni i fluturimeve në lartësi të mëdha, me vlerë të vlerësuar rreth 238 milionë dollarë, ishte në një mision zbulimi detar mbi Gjirin Persik, pranë Ngushticës së Hormuzit, kur papritur u zhduk nga sistemet online të ndjekjes së fluturimeve, sipas The War Zone.

Mjeti ajror, i prodhuar nga Northrop Grumman dhe i nisur nga baza ajrore detare Sigonella në Itali, mund të fluturojë mbi 24 orë në lartësi deri në 15 kilometra. Marina amerikane nuk ka bërë publike shkakun e incidentit apo detaje mbi mbetjet.

Humbja ndodhi në një kohë kur SHBA dhe Izraeli po kryenin sulme ndaj Iranit. Që nga 28 shkurti, SHBA ka regjistruar disa humbje mjetesh ajrore, përfshirë avionë luftarakë dhe dronë.

Sipas CBS News, duke cituar dy zyrtarë amerikanë, gjatë luftës kundër Iranit SHBA ka humbur gjithsej 24 dronë MQ-9 Reaper, me një vlerë totale rreth 720 milionë dollarë. Një dron i tillë kushton rreth 30 milionë dollarë ose më shumë, varësisht nga varianti.

Kategoritë
BotaLajme