Izraeli ka mbyllur ambasadat e tij në mbarë botën dhe u ka bërë thirrje shtetasve të vet që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shfaqin simbole izraelite apo hebraike në vende publike, sipas një njoftimi të publikuar në faqet zyrtare të ambasadave.
Pas sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, ambasadat izraelite njoftuan se nuk do të ofrojnë shërbime konsullore dhe u kërkuan qytetarëve që, në rast kërcënimesh, të bashkëpunojnë me autoritetet lokale të sigurisë. Nuk është bërë e ditur se deri kur do të zgjasë pezullimi i punës së tyre, raporton Reuters.
“Në lidhje me zhvillimet e fundit, misionet izraelite në mbarë botën do të jenë të mbyllura dhe shërbimet konsullore nuk do të ofrohen,” thuhet në deklaratën e publikuar në faqet e ambasadave të Izraelit në vende si SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Ukrainë.
Rekomandime sigurie për shtetasit izraelitë jashtë vendit
Ambasadat u kërkojnë izraelitëve jashtë vendit të plotësojnë një formular mbi vendndodhjen dhe statusin aktual të tyre, sipas një njoftimi në faqen e ambasadës izraelite në SHBA.
Ata gjithashtu këshillohen të shmangin shfaqjen e simboleve hebraike apo izraelite në vende publike dhe të mos postojnë informacione për vendndodhjen ose planet e udhëtimit në rrjetet sociale.
Ambasadat paralajmërojnë që izraelitët të shmangin tubimet e mëdha dhe aktivitetet që lidhen me Izraelin ose komunitetet hebraike, dhe në përgjithësi të jenë veçanërisht të kujdesshëm në hapësirat publike.