Aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg tha se gjatë kohës që kaloi në burg në Izrael, asaj iu mohua uji, iu nënshtrua fyerjeve dhe shqelmave, si dhe u kërcënua me vdekje me gaz helmues
Aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg tha se gjatë kohës që kaloi në burg në Izrael, asaj iu mohua uji, iu nënshtrua fyerjeve dhe shqelmave, si dhe u kërcënua me vdekje me gaz helmues, transmeton Anadolu.
Aktivistja suedeze Thunberg që u ndalua në Flotiljen Global “Sumud”, e cila u sulmua nga ushtria izraelite ndërsa përpiqej të dërgonte ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, foli për gazetën “Aftonbladet” të vendit të saj rreth përjetimeve të saj në burgun izraelit.
Duke vënë në dukje se ka mijëra palestinezë dhe qindra fëmijë të mbajtur pa gjyq në burgjet izraelite, Thunberg tha: “Izraeli, i cili ndalon, burgos dhe torturon një person të bardhë si unë me pasaportë suedeze në ujërat ndërkombëtare, çfarë nuk do t’u bënte të burgosurve dhe fëmijëve palestinezë?”.
Ajo shpjegoi se asaj nuk iu dha kurrë ujë pasi u ndalua në mënyrë të paligjshme në ujërat ndërkombëtare dhe u burgos në Izrael. “Më shtrinë përtokë dhe më lidhën një flamur izraelit midis duarve. Kur valëviti flamuri izraelit, ata thanë ‘Mos e prek flamurin’ dhe më goditën me shqelma pas shpine çdo herë. Më quanin ‘kurvë’ dhe më thanë se do të më mbysnin me gaz helmues”, shtoi ajo.
Pasi deklaroi se autoritetet izraelite shkruan shprehje fyese mbi bagazhin e saj, Thunberg tha: “Kur u regjistrova, gjeta fjalët ‘Greta kurvë’ dhe imazhe që përshkruanin organe gjenitale mashkullore në to. Edhe 5-vjeçarët nuk do ta bënin këtë”.
Thunberg akuzoi si “fashiste” qeverinë suedeze pasi dështoi ta mbronte atë. “Izraeli na ndaloi në ujërat ndërkombëtare, por qeveria jonë nuk na mbrojti. Qeveria jonë i lavdëroi suedezët që sollën ndihmë në zonat ku udhëtimi për në Ukrainë është i ndaluar. Prandaj, këto dy krahasime tregojnë se qeveria jonë është fashiste”, tha ajo.
– Flotilja Globale “Sumud”
Flotilja Globale “Sumud”, e cila u nis për të thyer bllokadën e Izraelit dhe për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza, iu afrua ujërave të Gazës mbrëmjen e 1 tetorit.
Ushtria izraelite sulmoi flotiljen, duke sekuestruar në mënyrë të paligjshme 42 anije që i përkisnin Flotiljes Globale “Sumud” dhe duke ndaluar qindra aktivistë ndërkombëtarë në bord, të cilët më pas u transferuan në burgun Ketziot në jug të vendit.
Flotilja Globale “Sumud” është flotilja më e madhe që është nisur ndonjëherë kolektivisht për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza.