“Gjermania është gati të mbështesë projekte konkrete rindërtimi në Gazën e pasluftës”, thotë ministrja e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan
Gjermania njoftoi sot se 14 gjermanë që u ndaluan ilegalisht në Izrael si pjesë e flotiljes së ndihmës për Gazën janë deportuar nga atje, transmeton Anadolu.
Sipas një zëdhënëse të paidentifikuar të Ministrisë së Jashtme gjermane, ata u transportuan në Greqi dhe u pritën nga stafi i ambasadës gjermane në Athinë.
Yasemin Acar, një organizatore gjermane e Flotiljes Globale “Sumud”, tha të hënën se ajo dhe të tjerët në bordin e flotës së anijeve kishin “kaluar nëpër tortura” pasi u “rrëmbyen në ujërat ndërkombëtare” dhe u sollën në Izrael kundër vullnetit të tyre.
Ata u privuan nga ushqimi dhe gjumi ndërsa ishin në burg, tha ajo duke theksuar se ngjarjet që po zhvillohen në Gaza janë një “gjenocid që vendet tona po e mbështesin financiarisht, moralisht dhe me armë”.
Duke e përshkruar burgosjen e tyre si “brutale”, Acar theksoi se atyre iu shkelën të gjitha të drejtat.
– Gjermania gati të ndihmojë në rindërtimin e Gazës së pasluftës
Ndërkohë, ministrja e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan tha se vendi i saj është gati të mbështesë projekte konkrete rindërtimi në rast të një armëpushimi në Rripin e Gazës.
“Ne tashmë kemi një projekt, për shembull, strehimore të përkohshme. Ato janë tashmë të financuara dhe gati. Një pjesë e madhe e Rripit të Gazës është shkatërruar. Kjo do të thotë se njerëzit nuk kanë çati mbi kokë, vështirë që ka mbetur infrastrukturë”, tha ministrja për radion publike “Deutschlandfunk”.
Ajo theksoi se situata aktuale e higjienës është katastrofike, duke shtuar se ministria e saj mund të ofrojë mbështetje me kanalizimet, furnizimin me ujë ose largimin e mbeturinave.
“Këto janë vetëm disa shembuj ku ne tashmë kemi përvojë dhe ku mund të ofrojmë mbështetje të menjëhershme”, tha ministrja.
Të hënën, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha se vendi i tij është i gatshëm të organizojë një konferencë për rindërtimin e Rripit të Gazës së bashku me Egjiptin.