Një mjek. një infermiere dhe një shofer i një autoambulance kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti gjatë të enjtes, përcjell Gazeta Metro.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë, ka bërë të ditur se mjeku ka pësuar thyerje të dorës ndërsa infermierja dhe shoferi kanë pësuar lëndime të lehta
“Sot gjatë transferimit të një pacienti për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ekipi ynë mjekësor është përfshirë në një aksident trafiku. Autoambulanca e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, në të cilën ndodheshin pacienti, mjeku, infermieria dhe shoferi i autoambulancës, u godit nga prapa nga një veturë ku gjendeshin familjarë të pacientit. Mjeku ynë ka pësuar frakturë në dorë dhe po trajtohet në QKUK, infermieria dhe shoferi kanë marrë lëndime më të lehta, pacienti fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime” thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se pacienti që ndodhej në autoambulancë është transferuar me sukses për në QKUK pas intervenimit të shpejtë nga një ekip tjetër me një autoambulancë tjetër të Spitalit të Pejës.