“Kthimi në procesin mësimor nuk është vetëm çështje arsimi, por edhe një fillim për t’u shëruar nga trauma e thellë”, tha UNRWA
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) njoftoi se gati 660 mijë fëmijë në Rripin e Gazës janë të privuar nga arsimi për të tretin vit me radhë, transmeton Anadolu.
“Në Gaza, fëmijët janë jashtë shkollave për të tretin vit radhazi”, thuhet në një postim të UNRWA-së në platformën amerikane X. “Për gati 660 mijë vajza dhe djem, kthimi në procesin mësimor nuk është vetëm çështje arsimi, por edhe një fillim për t’u shëruar nga trauma e thellë”, tha organizata.
Si organizata më e madhe humanitare në Gaza, UNRWA shprehu gatishmërinë për t’i mbështetur ata.
Drejtoresha e marrëdhënieve të jashtme të UNRWA-së, Tamara Alrifai tha se “prioritet për UNRWA-në është arsimi për fëmijët dhe rifillimi i procesit mësimor për ta”.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë gati 68 mijë palestinezë në enklavë, shumica gra dhe fëmijë, duke e bërë atë pothuajse të pabanueshme.
Sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), 97 për qind e ndërtesave shkollore në Rripin e Gazës janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht.
Javën e kaluar u arrit një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, bazuar në një plan të paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump. Faza e parë përfshinte lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e enklavës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa pjesëmarrjen e Hamasit.