Administrata e Trumpit lëshon urdhër ekzekutiv, zotohet për mbrojtjen e sigurisë së Katarit

Urdhri i lëshuar të hënën e siguron Katarin se një sulm i tillë nuk do të ndodhë përsëri, duke deklaruar se çdo sulm ndaj vendit do të konsiderohet “kërcënim për paqen dhe sigurinë e SHBA-së”

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka lëshuar urdhër ekzekutiv duke u zotuar për të mbrojtur sigurinë e Katarit, përfshirë ndërhyrjen ushtarake nëse vendi sulmohet, transmeton Anadolu.

Urdhri erdhi tre javë pasi Izraeli kreu sulme ajrore që shënjestruan udhëheqësit e Hamasit në Doha, gjë që shkaktoi kritika të ashpra si nga zyrtarët e Katarit ashtu edhe nga ata amerikanë.

Urdhri i lëshuar të hënën siç duket e siguron Katarin se një sulm i tillë nuk do të ndodhë përsëri, duke deklaruar se çdo sulm ndaj vendit do të konsiderohet “kërcënim për paqen dhe sigurinë e SHBA-së”.

Katari, ku ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, prej kohësh e ka konsideruar SHBA-në, si shumë nga fqinjët e saj të Gjirit, një garantues të rëndësishëm të sigurisë. Kjo e bëri sulmin e fundit të Izraelit, pavarësisht lidhjeve të tij të ngushta me Washingtonin, veçanërisht alarmues për zyrtarët e Katarit.

Urdhri ekzekutiv thotë se nëse Katari sulmohet, SHBA-ja duhet të “marrë të gjitha masat e ligjshme dhe të përshtatshme, përfshirë ato diplomatike, ekonomike dhe nëse është e nevojshme, ushtarake, për të mbrojtur interesat e SHBA-së dhe të shtetit të Katarit”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbrojti sulmet e shtatorit, duke i përshkruar ato si pjesë të objektivit të hershëm të Izraelit për t’u hakmarrë për sulmin e udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit 2023. Netanyahu gjithashtu e ka akuzuar Katarin se i ofron “strehë të sigurt” Hamasit.

Më vonë, llogaria e kryeministrit të Izraelit në mediat sociale të kompanisë amerikane X postoi se Netanyahu, në një telefonatë me kryeministrin e Katarit, tha: “Z. Kryeministër, dua që ju të dini se Izraeli ndien keqardhje që një nga qytetarët tuaj u vra në sulmin tonë”.

Izraeli ka mbajtur lidhje jozyrtare me Katarin, i cili, së bashku me Egjiptin, ka vepruar si ndërmjetës në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme