Abdixhiku falënderon kandidatët e LDK-së: Sot jeni dëshmia që LDK është më e fortë se kurrë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar edhe njëherë të gjithë kandidatët e kësaj partie për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku ka vlerësuar lart sjelljen dinjitoze të kandidatëve të LDK-së, duke i quajtur ata “zëri, fytyra dhe energjia e LDK-së në çdo qytet, lagje e fshat të Kosovës”.
“Keni qëndruar me dinjitet, me argument, me kulturë e me dashuri për vendin; siç i ka hije shtëpisë së demokracisë,” tha ai.
Abdixhiku ka përmendur edhe fitoren në raundin e parë të disa kandidatëve të LDK-së, përfshirë Imri Ahmetin, Ilir Feratin dhe Ruzhdi Shehun, duke i uruar për suksesin dhe duke e cilësuar këtë fitore si të përbashkët për të gjithë LDK-në.
“Nga sot e tutje jeni kryetarë të të gjithëve pa dallim. Silluni si të tillë,” theksoi ai.
Për kandidatët që kanë kaluar në balotazh, Abdixhiku shprehu besimin se gara do të vazhdojë me energji dhe përkushtim, ndërsa për ata që nuk arritën të fitonin, dha mesazhin e motivimit dhe qëndrueshmërisë.