Abbas para vazhdimit të negociatave dërgoi mesazh për Izraelin dhe Hamasin: Sovraniteti mbi Gazën i takon Shtetit të Palestinës

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, publikoi një deklaratë të re për opinionin publik, në të cilën përshëndeti synimet për vazhdimin e negociatave, si dhe qëndrimin pozitiv të Hamasit ndaj propozimit të Trumpit. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit Palestinez, Abbas tha se “po-ja” e Hamasit sinjalizon gatishmëri për paqe.

“Ne i përshëndesim këto deklarata sepse ato sinjalizojnë gatishmëri për lirimin e të gjithë pengjeve dhe për një qasje konstruktive gjatë kësaj faze kritike, e cila kërkon nga të gjithë të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjësisë kombëtare,” tha presidenti.

Ai përsëriti mirënjohjen e tij për përpjekjet e mëdha që ka bërë presidenti Trump për përfundimin e luftës në Rripin e Gazës dhe për lëvizjen drejt një paqeje të qëndrueshme. Po ashtu, shprehu mirënjohje për vendet arabe dhe islame që po kontribuojnë në këtë drejtim (Mbretëria e Arabisë Saudite, Egjipti, Jordania, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia, Indonezia dhe Pakistani).

“Presidenti Abbas konfirmoi gatishmërinë e Palestinës që nga ky moment të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me presidentin amerikan Trump, si dhe me të gjithë partnerët përkatës, bashkëkryesuesit e Konferencës Ndërkombëtare të Paqes në New York, drejtuesit e grupeve të punës, anëtarin arab të Këshillit të Sigurimit, Algjerinë, si dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe të Asamblesë së Përgjithshme, për të arritur stabilitet dhe një paqe të përhershme e të drejtë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,” thuhet në deklaratë.

Ai gjithashtu theksoi se është i domosdoshëm ndihma e OKB-së.

“Ajo që na intereson tani është angazhimi urgjent për një armëpushim të plotë, lirimi i të gjithë pengjeve dhe të burgosurve, shpërndarja e menjëhershme e ndihmës humanitare përmes organizatave të OKB-së, sigurimi i parandalimit të shpërnguljes apo aneksimit dhe fillimi i procesit të rindërtimit. Sovraniteti mbi Rripin e Gazës i takon Shtetit të Palestinës, ndërsa lidhja mes Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës duhet të arrihet përmes ligjeve dhe institucioneve qeveritare palestineze, përmes komitetit administrativ palestinez dhe forcave të bashkuara të sigurisë palestineze, në kuadër të një sistemi dhe ligji unik, dhe me mbështetje arabe dhe ndërkombëtare,” tha ai.

Presidenca e Palestinës do të vazhdojë bashkëpunimin me ndërmjetësit dhe partnerët përkatës për të siguruar suksesin e këtyre përpjekjeve, që çojnë drejt arritjes së një paqeje të përhershme që i jep fund okupimit izraelit të Palestinës, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

“Ai i kujtoi bashkësisë ndërkombëtare përgjegjësinë e saj për ta detyruar Izraelin të ndalojë të gjitha masat e njëanshme që shkelin të drejtën ndërkombëtare, ndër më kryesoret ndalimi i aktiviteteve të kolonizimit dhe terrorit të kolonëve, sulmet mbi vendet e shenjta dhe mohimi i të ardhurave tatimore palestineze. Presidenti Abbas gjithashtu konfirmoi se një shtet palestinez i pavarur dhe sovran është partneri natyror për stabilitetin në rajon, krah Izraelit, dhe se ka ardhur koha për një paqe të përhershme që garanton siguri dhe drejtësi për të gjithë popujt e rajonit,” përfundoi ai.

Kategoritë
BotaLajme