A po paralajmëron Trumpi fundin e luftës? Pretendon se në Iran ka ndodhur “ndryshim regjimi”, pasi tani janë njerëz të tjerë

Vetëm disa orë para skadimit të ultimatumit 48-orësh, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi papritur shtyrjen e sulmeve ushtarake ndaj Iranit, duke deklaruar se janë duke u zhvilluar “negociata shumë intensive”.

Në një intervistë telefonike për CNBC, Trump shkoi edhe më tej, duke thënë se në Teheran tashmë është arritur një nga objektivat e tij – “ndryshimi i regjimit”.

Pas një postimi në rrjetin social Truth Social, ku paralajmëroi një pauzë pesëditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike iraniane për shkak të “bisedimeve shumë të mira dhe produktive”, Trump në një bisedë me gazetarin Joe Kernen deklaroi se SHBA-të janë “shumë të vendosura për të arritur një marrëveshje me Iranin”.

Presidenti amerikan këmbënguli se zhvillimet aktuale në Iran mund të përshkruhen si “ndryshim regjimi”, duke theksuar: “Ky është ndryshim regjimi sepse tani janë njerëz krejtësisht të ndryshëm”.

Ai theksoi se bisedimet me autoritetet iraniane kanë qenë jashtëzakonisht intensive dhe se shpreson të arrihet “diçka shumë thelbësore”.

“Irani dëshiron me çdo kusht të arrijë një marrëveshje, gjë që mund të ndodhë brenda 5 ditëve ose edhe më herët. Negociatat e fundit me Iranin janë zhvilluar mbrëmë”, tha ai.

Ky narrativ përfaqëson një kthesë drastike krahasuar me deklaratat e tij vetëm tre ditë më parë, kur kishte thënë: “Ne duam të bisedojmë me ta, por atje nuk ka askënd për të biseduar… dhe kjo na pëlqen.”

Megjithatë, ndërsa Trump flet për përparim diplomatik, nga Teherani vijnë deklarata krejtësisht të kundërta. Mediat shtetërore iraniane, duke iu referuar një “zyrtari të lartë të sigurisë”, kanë mohuar ekzistencën e çfarëdo negociate.

“Nuk ka pasur asnjë negociatë dhe nuk ka. Me këtë lloj lufte psikologjike, as Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet në gjendjen e mëparshme dhe as nuk do të ketë paqe në tregjet energjetike”, deklaroi zyrtari iranian në Telegram, duke hedhur poshtë pretendimet për kontakte direkte apo indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit. Sipas tyre, bëhet fjalë për propagandë dhe luftë psikologjike.

Lajmi për një deeskalim të mundshëm dhe pezullim të sulmeve ndikoi menjëherë në tregjet globale. Futures të aksioneve amerikane u rritën, ndërsa çmimet e naftës ranë ndjeshëm për shkak të shpresës se qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit mund të rikthehet.

Ultimatumi i Trumpit, që skadonte të hënën në mbrëmje sipas kohës së Uashingtonit, erdhi pasi Irani bllokoi këtë rrugë strategjike detare, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës dhe gazit botëror.

Nga ana tjetër, përmes kryetarit të parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, Teherani paralajmëroi se infrastruktura kyçe në Gjirin Persik do të “shkatërrohet në mënyrë të pakthyeshme” nëse SHBA sulmon centralet iraniane.

Kategoritë
BotaLajme