A po i kërcënon Trump NATO-n: Mos harroni kurrë këtë moment shumë të rëndësishëm dhe që nuk keni bërë absolutisht asgjë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka publikuar një mesazh në rrjetin social Truth Social, ku ka kritikuar vendet anëtare të NATO-s për, siç pretendon ai, mungesën e mbështetjes në konfliktin me Iranin.

“NATO nuk ka bërë absolutisht asgjë për të ndihmuar kundër kombit të çmendur si Irani, i cili tani është shkatërruar ushtarakisht. SHBA-së nuk i duhet asgjë nga NATO, por mos harroni kurrë këtë moment shumë të rëndësishëm”, ka deklaruar Trump.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur brenda Shteteve të Bashkuara po shtohen mospajtimet politike lidhur me mënyrën e zhvillimit të operacioneve kundër Iranit.

Kujtojmë se gjatë një fjalimi në një darkë donatorësh të Partisë Republikane në Uashington, Trump është përpjekur të arsyetojë sulmet ndaj Iranit, duke shmangur termin “luftë” dhe duke këmbëngulur se bëhet fjalë për një “operacion ushtarak”.

Në atë rast, ai pranoi se kishte pritur pasoja më të rënda ekonomike, përfshirë rritje më të madhe të çmimeve të naftës dhe rënie të bursave, por theksoi se kjo nuk ishte vendimtare për të.

Edhe pse pretendon se SHBA “po fiton në mënyrë të madhe”, ai pranoi se konflikti tashmë po ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve përmes rritjes së çmimeve të karburantit dhe kostos së jetesës, duke theksuar se këto pasoja janë të pranueshme për të parandaluar që Irani të sigurojë armë bërthamore.

Megjithatë, sondazhet tregojnë një rritje të pakënaqësisë publike, ndërsa Trump fajëson mediat për perceptimin negativ.

Ndërkohë, Irani vazhdon të ruajë aftësinë për të kryer sulme në rajon, ndërsa mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po destabilizon më tej tregun global të naftës.

Kritika po vijnë edhe nga brenda radhëve republikane, ku disa zyrtarë kërkojnë më shumë transparencë për planet e administratës dhe bëjnë thirrje për kujdes, veçanërisht lidhur me mundësinë e dërgimit të trupave tokësore.

Kategoritë
BotaLajme