Zyrtari palestinez: Gaza ka hyrë në fazën e avancuar të urisë për shkak të rrethimit izraelit

– Thawabteh theksoi se Izraeli në Gaza po zbaton “një nga format më të tmerrshme të urisë sistematike që bota moderne ka parë ndonjëherë”

GAZA (AA) – Kreu i zyrës për media të qeverisë në Gaza, Ismail Thawabteh, ka deklaruar se Rripi i Gazës, ku Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare që nga 2 marsi, ka hyrë në një “fazë të avancuar të urisë”.

Duke folur me gazetarin e Anadolut, Thawabteh rikujtoi se Izraeli ka vendosur një rrethim të rreptë në Gaza dhe i ka mbajtur pikat kufitare të mbyllura për më shumë se dy muaj.

“Izraeli pengon hyrjen e ushqimit dhe ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Për shkak të rrethimit izraelit, Gaza ka hyrë në një fazë të avancuar të urisë” tha Thawabteh.

Thawabteh theksoi se Izraeli në Gaza po zbaton “një nga format më të tmerrshme të urisë sistematike që bota moderne ka parë ndonjëherë”.

Ai po ashtu theksoi se Izraeli është plotësisht përgjegjës për katastrofën humanitare në Gaza.

“Ushqimi, ilaçet dhe uji po përdoren si armë lufte kundër më shumë se 2.4 milionë civilëve në Gaza. Kjo është një shkelje e qartë e parimeve më themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Mbyllja e pikave kufitare, bllokada mizore, mungesa e ushqimit, mungesa e miellit dhe mbyllja me forcë e furrave të bukës e kanë vënë sigurinë ushqimore në Rripin e Gazës në rrezik të kolapsit total”, tha Thawabteh.

Zyrtari i Gazës bëri të ditur se situata në Gaza është “një sprovë e vërtetë morale dhe ligjore për komunitetin ndërkombëtar”.

Ai po ashtu bëri thirrje për një ndërhyrje urgjente dhe efektive ndërkombëtare për të siguruar rrjedhën e papenguar të ndihmave në Gaza dhe për “të shpëtuar atë që ka mbetur nga jeta në Gaza para se të jetë tepër vonë”.

– Kriza humanitare në Gaza po thellohet dita-ditës

Izraeli pezulloi ndihmën humanitare në Rripin e Gazës më 2 mars, pas përfundimit të fazës së parë 42-ditore të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve me Hamasin.

Si pasojë e sulmeve të kryera nga ushtria izraelite që nga 7 tetori i vitit 2023, rreth 2 milionë njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, e cila ka një popullsi prej 2.3 milionë banorësh. Duke shënjestruar gjithashtu infrastrukturën civile dhe spitalet, Izraeli ka shkaktuar një katastrofë humanitare në Gaza.

Ndërprerja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rajon dhe mbajtja e pikave kufitare të mbyllura i thellon më tej kushtet e vështira që përjetojnë palestinezët në Gaza.

Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit, pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës.

Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 2.308 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën dhe 5.973 të tjerë janë plagosur.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023, numri i palestinezëve që humbën jetën është rritur në 52.400, ndërsa numri i të plagosurve në 118.014.

Kategoritë
BotaLajme