UBT-ja dhe Quality Kosova do të organizojnë Kongresin e 67-të Evropian të Cilësisë, i cili do të mbahet më 21–23 tetor 2026 në Kosovë, duke bashkuar përfaqësues të akademisë, industrisë dhe institucioneve publike nga vende të ndryshme të botës.
Kongresi do të zhvillohet në UBT Science & Innovation Park / Smart City dhe pritet të kontribuojë në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Kosovës në fushën shkencore dhe profesionale. Temat kryesore të diskutimit do të përfshijnë cilësinë, inteligjencën artificiale, qëndrueshmërinë dhe transformimin digjital, duke krijuar mundësi për bashkëpunim ndërmjet sektorëve të ndryshëm.
Folës ndërkombëtarë nga akademia dhe industria
Në mesin e folësve të konfirmuar janë presidenti i Organizatës Evropiane për Cilësi, Prof. Dr. Paulo Sampaio, Nazia Mintz Habib nga Universiteti i Kembrixhit, Dr. Daniel Prell nga Siemens Healthineers dhe Juhani Anttila nga Akademia Ndërkombëtare e Cilësisë.
Pjesë e programit do të jetë edhe Fatema Z. Sumar, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard, e cila do të mbajë një fjalim online.
Ndër folësit e tjerë janë edhe Ricardo Rio, përgjegjës për EMEA dhe partneritetet strategjike në GeSI, si dhe Prof. Norbert Bachl nga Universiteti i Vjenës.
Kongresi në kuadër të 25-vjetorit të UBT-së
Fjalimin hapës të kongresit do ta mbajë Prof. Dr. Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së, kryetar i Quality Kosova dhe nënkryetar i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ).
Organizimi i këtij kongresi përkon me shënimin e 25-vjetorit të UBT-së dhe synon të krijojë një urë bashkëpunimi ndërmjet ekspertizës ndërkombëtare dhe potencialit akademik të Kosovës.
Përmes këtij aktiviteti, UBT-ja synon të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e partneriteteve në kërkim shkencor dhe zbatim praktik, duke afruar universitetet, bizneset dhe institucionet publike rreth sfidave dhe zhvillimeve të reja në fushën e cilësisë dhe inovacionit.
