– Gjatë bisedimeve në Bruksel, zyrtarët turq bënë thirrje për bashkëpunim më të fortë gjyqësor, ekstradime dhe përpjekje të përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar dhe migracionin e parregullt.
Turqia i bëri thirrje Belgjikës të martën që të ndërmarrë masa konkrete kundër grupeve terroriste që veprojnë në territorin e saj, të forcojë bashkëpunimin gjyqësor dhe të intensifikojë përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar dhe migrimit të parregullt, raporton Anadolu.
Zyrtarët turq i ngritën këto çështje gjatë një takimi në Bruksel mes ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, ministrit të Drejtësisë, Akin Gurlek, dhe ministrit të Brendshëm, Mustafa Ciftci, me homologët e tyre belgë: Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Maxime Prevot, ministren e Drejtësisë, Annelies Verlinden, ministrin e Sigurisë dhe të Brendshëm, Bernard Quintin, si dhe ministren e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt.
– Bashkëpunimi kundër organizatës terroriste FETO
Gurlek theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kundër organizatës terroriste FETO, grupit përgjegjës për tentativën për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, ku u vranë 253 persona dhe u plagosën mijëra të tjerë.
“Presim që aleati ynë, Belgjika, të ndërmarrë masa konkrete dhe efektive kundër organizimit të FETO-s në vendin e vet”, tha Gurlek, duke u bërë thirrje autoriteteve belge që të shqyrtojnë nga afër organizatat e lidhura me grupin, i cili vepron përmes organizatave të krijuara si mbulesë, institucioneve arsimore dhe strukturave të shoqërisë civile.
Ai gjithashtu bëri thirrje për ekstradimin e anëtarëve të FETO-s në Turqi dhe për trajtimin në kohë të kërkesave për ndihmë juridike, duke theksuar se mekanizmat e mbrojtjes ndërkombëtare nuk duhet të pengojnë procedurat e ekstradimit të personave të kërkuar për krime të rënda.
– Krimi i organizuar ndërkufitar
Gurlek theksoi nevojën për bashkëpunim më të ngushtë kundër krimit të organizuar ndërkufitar, përfshirë trafikimin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandimin e migrantëve dhe pastrimin e parave.
Si shembull të bashkëpunimit praktik, ai përmendi një operacion të koordinuar në shtator nga prokurorët në qytetin bregdetar turk të Izmirit kundër një organizate kriminale, e cila rezultoi e përfshirë në trafikimin e drogës dhe që vepronte nga Belgjika.
“Rezultate të qëndrueshme dhe efektive në luftën kundër terrorizmit mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit të fortë ndërkombëtar”, tha Gurlek.
Pas takimit, Gurlek zhvilloi bisedime dypalëshe me Verlinden dhe e ftoi atë të vizitojë Turqinë.
Ai tha se komunikimi më i fortë ndërmjet ministrive dhe përdorimi më efektiv i instrumenteve ligjore ekzistuese janë thelbësore për arritjen e rezultateve konkrete.
– Reagim i koordinuar ndërkombëtar kundër terrorizmit
Edhe Ciftci bëri thirrje për një reagim të koordinuar ndërkombëtar kundër terrorizmit, duke thënë: “Pritshmëria jonë nga bashkësia ndërkombëtare dhe miqtë tanë është që të mos bëhet asnjë dallim mes organizatave terroriste dhe të mos tregohet tolerancë ndaj asnjërës prej tyre”.
“Asnjë vend nuk duhet të lejojë që territori i tij të shndërrohet në strehë të sigurt për grupet terroriste që veprojnë kundër një vendi tjetër”, shtoi ai.
Ai i bëri thirrje Belgjikës të ndërmarrë veprime konkrete kundër grupeve të lidhura me organizatat terroriste PKK dhe FETO, përfshirë mbylljen e institucioneve të lidhura me to dhe shqyrtimin pozitiv të kërkesave të Turqisë për ekstradim.
“Fatkeqësisht, shohim se ky grup e ka përdorur pothuajse Belgjikën si strehë”, tha Ciftci për FETO-n.
Ai u bëri thirrje autoriteteve belge të monitorojnë shkollat dhe organizatat joqeveritare të grupit dhe të parandalojnë anëtarët e tij që të keqpërdorin sistemin e azilit përmes informacioneve dhe dokumenteve të rreme.
– Masat kundër migrimit të parregullt
Ciftci theksoi gjithashtu rëndësinë e riatdhesimit të luftëtarëve të huaj terroristë në vendet e tyre të origjinës, për të parandaluar që ISIS-i (DEASH) të rimarrë pozita në rajon.
Sa i përket krimit të organizuar, ai bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes ministrive të drejtësisë dhe njësive të Interpolit të të dy vendeve, me qëllim lokalizimin dhe ekstradimin e drejtuesve dhe anëtarëve të dyshuar të grupeve kriminale që besohet se ndodhen në Belgjikë.
Duke folur për migrimin e parregullt, Ciftci tha se Turqia ka forcuar masat në kufijtë tokësorë dhe detarë për të frenuar flukset e migracionit dhe për të goditur rrjetet e kontrabandimit.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim më të madh me vendet e BE-së, mbështetje për kthimet vullnetare dhe rritje të kuotave të zhvendosjes së migrantëve, duke theksuar se përparimi i qëndrueshëm kërkon solidaritet ndërkombëtar dhe ndarje më të drejtë të përgjegjësisë.