Ministri i Jashtëm i Spanjës, Manuel Albares tha se AP të OKB-së do t’i paraqesin sa më shpejt të jetë e mundur projektrezolutën lidhur me bllokadën që Izraeli zbaton ndaj Rripit të Gazës
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares tha se Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) do t’i paraqesin sa më shpejt të jetë e mundur projektrezolutën në lidhje me bllokadën që Izraeli zbaton ndaj Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së që u mbajt në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, Albares tha se kanë ndërmarrë të gjitha hapat në lidhje me iniciativën për të paraqitur në AP të OKB-së, projektrezolutën në lidhje me përjetimet në Gaza e cila u njoftua nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez gjatë javës.
Kryediplomati spanjoll tha se janë takuar me kryeministrin palestinez Mohammed Mustafa dhe kanë bërë ndryshimet përfundimtare në projektrezolutë.
“Bllokada në Gaza duhet të marrë fund në mënyrë që ndihma humanitare të mund të arrijë atje dhe Palestina të mbetet shtet neutral dhe i pavarur”, tha Albares dhe u kërkoi të gjithëve të mbajnë një qëndrim të qartë në mënyrë që kjo të realizohet.
Albares shtoi se ata po përpiqen të çojnë përpara zgjidhjen me dy shtete, për të cilën besojnë se do të sjellë paqe dhe stabilitet përfundimtar në Lindjen e Mesme. “Izraeli ka detyrime në territoret e pushtuara dhe vazhdimi i bllokadës humanitare i Gazës është plotësisht i papranueshëm dhe duhet të përfundojë. Është më e rëndësishme se kurrë që Evropa të ngrejë zërin kundër asaj që po përjetohet në Gaza”, tha ai.