Projektligji për ndryshimin e Ligjit për të Huajt në Slloveni parashikon kushte më të rrepta për qëndrimin, bashkimin familjar dhe njohjen e gjuhës sllovene.
Sipas ndryshimeve të propozuara, do të hiqej mundësia që të huajt të ndjekin falas kurset e gjuhës sllovene, ndërsa do të vendosej bashkëfinancim prej 40 për qind nga vetë pjesëmarrësit. Njëkohësisht, do të rritej edhe niveli i kërkuar i njohjes së gjuhës sllovene.
Për vazhdimin e lejes së qëndrimit të përkohshëm për shkak të bashkimit familjar do të kërkohej niveli bazë A2, ndërsa për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm do të kërkohej niveli komunikues B1, në vend të nivelit të deritanishëm A2.
Projektligji parashikon gjithashtu zgjatjen e periudhës pas së cilës një i huaj mund të fitojë të drejtën për bashkim familjar, nga një në tre vjet.
Do të rritej edhe kushti i përgjithshëm për mjetet e mjaftueshme financiare për jetesën e një shtetasi të një vendi të tretë. Shuma do të rritej nga niveli bazë i të ardhurave minimale prej 507,43 eurosh në 1,4 herë më shumë, përkatësisht në 710,40 euro.
Gjatë konsultimit publik ishte propozuar që kjo shumë të ishte edhe dyfishi i nivelit bazë të të ardhurave minimale, përkatësisht 1.014,86 euro.
Propozimet kanë shkaktuar reagime nga sindikatat dhe organizatat joqeveritare, të cilat i shohin ndryshimet si një përpjekje për të larguar familjet e punëtorëve dhe për ta vështirësuar integrimin e punëtorëve të huaj.
Shqetësime ka shprehur edhe një pjesë e sektorit të biznesit, i cili druhet se me këto masa Sllovenia mund të bëhet më pak tërheqëse për punëtorët e huaj.
Në kuadër të qeverisë është përgatitur gjithashtu një projekt për ndryshimin e ligjit për punësimin, vetëpunësimin dhe punën e të huajve.
Ndryshimet synojnë, ndër të tjera, të mundësojnë punësimin e të huajve përmes agjencive, ta lidhin punëtorin e huaj me punëdhënësin e parë për një periudhë gjashtëmujore dhe të zbusin pasojat e disa shkeljeve të rregullave gjatë punësimit.
Këto propozime, të cilat po harmonizohen në nivelin e Këshillit Ekonomik dhe Social, janë kritikuar nga një pjesë e opinionit me arsyetimin se mund të thellojnë shfrytëzimin e punëtorëve të huaj.
