Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është përfshirë në një skandal të ri, për të cilin ka raportuar Wall Street Journal. Sipas gazetës, ajo u kërkonte donatorëve të paguanin faturat e saj personale të kartave të kreditit.
Siç shkruan WSJ, vetëm gjashtë ditë para se të dëshmonte përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan, Guilfoyle i dërgonte mesazhe donatorit të Partisë Republikane, Eric Deters, duke i kërkuar të paguante 100 mijë dollarë për faturën e kartës së saj të kreditit American Express.
“Të lutem, paguaji 100 mijë dollarët sipas udhëzimeve që të kam dërguar, nuk do të mbetet gjurmë”, shkruante Guilfoyle.
Më herët, Guilfoyle kishte lobuar në emër të Detersit, i cili kërkonte ndihmë për zgjidhjen e disa problemeve private, duke shfrytëzuar njohjet e saj në administratën Trump. Deters premtonte se do t’i paguante deri në një milion dollarë nëse këto probleme zgjidheshin, por Guilfoyle i kërkoi paratë më herët për shkak të seancës së afërt dëgjimore.
Megjithatë, Deters në fund nuk i pagoi paratë. WSJ zbuloi se ai i kishte shkruar në një mesazh se “pagesa do t’i kushtonte martesën”.
Deters, një avokat 63-vjeçar, kishte kandiduar pa sukses për Kongres dhe për guvernator. Në një sërë intervistash, ai tha se mungesa e rezultateve nga angazhimi i Guilfoyle e kishte zhgënjyer me administratën Trump, ndonëse përgjithësisht i mbështet politikat e presidentit.
Deters tha se Guilfoyle i kishte premtuar që, nëse siguronte paratë për pagesën e faturës së kartës së kreditit, do t’i qëndronte pranë “çfarëdo që të ndodhte”. Megjithatë, sipas tij, ajo nuk kishte përmbushur asnjë premtim.
Ai tha se marrëdhëniet e tij me Guilfoyle kishin nisur në vitin 2020, kur organizoi në Kentucky një aktivitet të quajtur “Freedom Fest”, si përgjigje ndaj masave të detyrueshme shëndetësore të vendosura gjatë pandemisë COVID-19.
Sipas Detersit, gjatë viteve pasuese ai i kishte paguar Guilfoyle 300 mijë dollarë për të mbajtur fjalime në këtë aktivitet. Ai shtoi se kishte paguar gjithashtu 200 mijë dollarë për fjalimet e Donald Trump Jr. dhe 100 mijë dollarë për ato të Eric Trumpit. Sipas të dhënave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, në vitin 2022 ai kishte dhuruar edhe 125 mijë dollarë për një komitet politik që mbështeste Trumpin.
Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e vitit 2024, Deters thotë se filloi të kërkonte ndihmën e Guilfoyle për disa çështje me rëndësi të madhe për të.
Ai i kishte thënë Guilfoyle se do t’i paguante një milion dollarë nëse e ndihmonte të siguronte një intervistë në emisionin e ish-prezantuesit të Fox News, Tucker Carlson, ku shpresonte të tërhiqte vëmendjen ndaj çështjeve që i interesonin.
Guilfoyle e siguronte Detersin se po punonte për t’i mundësuar pjesëmarrjen në emisionin e Carlsonit. Mesazhet e shqyrtuara nga Wall Street Journal tregojnë se ajo kishte kontaktuar njerëz nga rrethi i Carlsonit për të organizuar intervistën. Megjithatë, kjo nuk u realizua.
Guilfoyle kishte shprehur gjithashtu shqetësimin se marrëdhëniet e saj me Detersin mund të bëheshin publike dhe për pasojat që kjo mund të kishte për postin e saj si ambasadore. Ajo e kishte paralajmëruar disa herë që në mesazhe të mos përmendte bisedat për para apo pagesa.
“Eric, do të doja vërtet që të mos i shkruaje më të gjitha këto”, i shkruante ajo në një shkëmbim mesazhesh.
Në janar të vitit 2025, disa javë pasi ishte nominuar për ambasadore, ajo ishte ankuar se Deters i kishte treguar producentit të podkastit të saj për marrëveshjen mes tyre.
“Është e pabesueshme që, kur kemi një marrëveshje private me ty, tani i përcjell producentit mesazhe për paratë. Mos thuaj se kemi ndonjë marrëveshje. Çfarë makthi! Do të më kushtosh, fjalë për fjalë, postin e ambasadores. Mos shkruaj më”, thuhej në mesazhin e saj.
Kujtojmë se Guilfoyle ishte në qendër të një skandali kur, gjatë një takimi me ministrin grek të Energjisë, kishte deklaruar se SHBA-ja mund të rrëzojë çdo qeveri në botë, përfshirë edhe atë të Greqisë.
