Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për bashkëqeverisje.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që të bëhet një qeveri e tranzicionit.
Abdixhiku në përgjigjen që i ka dërguar Kurtit thekson se duke patur parasysh stagnimin 4-vjeçar të vendit e sheh të pamundur bashkëpunimin mes këtyre dy subjekteve politike.
“LDK-ja, për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4-vjeçar të vendit nën udhëheqjen tuaj, rrezikimin e aleancave strategjike, të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, mosrespektimin e vendimeve të këtyre institucioneve, mbi të gjitha polarizimin e thellë shoqëror, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me ju”, thuhet në letër raporton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me refuzimin e kësaj ftese për bashkëpunim nga LDK-ja, ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i Lëvizjes Vetëvednosje, Arbër Rexhaj.
Rexhaj tha se refuzimi i LDK-së thërret për regres dhe kthim prapa.
Ai tha se ky nuk është një refuzim estetik por një lloj përgjigje agresive kundër LVV-së.
“Refuzimi i Lidhjes Demokartike të Kosovës thërret në regres, kthim prapa. Pajtohem me ministrin Murati që thotë që kthehemi në kohën e UNMIK-ut. Ne e kemi thirr LDK-në që të bisedojmë dhe ecim tutje pra Lidhja Demokratike e Kosovës do të duhej të merrte përgjegjësi të cilat i takojnë meqë ne apriori e kemi kundërshtuar dhe nuk jemi për t’a bërë koalicionin me Partinë Demokratike. Natyrshëm për herë të dytë e kemi thirr LDK-në. Kundërshtimimi i LDK-së për një koalicion me ne mendoj se nuk është refuzim estetik, përkundrazi është një lloj përgjigje agresive kundër LVV-së sepse si pasojë zgjedhjet do të duhej të zhdukeshin në Kosovë, të mos ekzistonin, që të eksistonin pastaj marrëveshjet dhe pazaret” tha Rexhaj.
Ai tutje u shpreh se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është kryeministri më i votuar në Kosovën e pas-luftës.
“Mos të harrojmë kryeministri Kurti se sa Presidenti historik, Ibrahim Rugova, dhe më shumë gjithashtu se Vjosa Osmani. Pra ajo që po kërkon LDK-ja është devijim i vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës” tha Rexhaj në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”