Në përmbytjet që kanë goditur Stambollin dhe rrethinën që nga e mërkura, kanë humbur jetën gjashtë persona, pesë në Stamboll dhe një në provincën Kocaeli, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur.
Siç raporton Euronews, policia detare dhe një helikopter i policisë gjetën në Gjirin e Bririt të Artë trupin e 30-vjeçarit Murat Babajanov, shtetas i Turkmenistanit, për të cilin kërkohej prej disa ditësh.
Të shtunën në mbrëmje, një rrjedhë e fuqishme uji në lagjen Göçbeyli, në komunën Pendik të Stambollit, në kufi me qytetin Gebze të provincës Kocaeli, mori me vete tre persona së bashku me automjetin e tyre. Njëri arriti të shpëtojë vetë, ndërsa dy të tjerë u zhdukën.
Trupi i njërit prej tyre u gjet të dielën pas disa orësh kërkimi, ndërsa për personin tjetër kërkimet vazhdojnë përgjatë përroit mes dy provincave.
Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, tha se ekipet janë në terren dhe se kërkimet po zhvillohen edhe në det. Sipas tij, ende nuk janë gjetur as dy personat nga lagjja Ayazağa, ku përroi doli nga shtrati pas reshjeve të dendura të së mërkurës.
Gül kishte deklaruar më herët se bëhet fjalë për reshjet më të mëdha në Stamboll në 84 vitet e fundit.
Sipas matjeve të shërbimit meteorologjik të Stambollit, AKOM, në komunat Beykoz, Sarıyer dhe Eyüpsultan kanë rënë më shumë se 200 litra shi për metër katror.
Që nga 14 tetori janë regjistruar rreth 1.200 ndërhyrje për shkak të përmbytjeve.
Për shkak të motit të keq, 51 fluturime nga aeroporti i Stambollit janë devijuar drejt aeroporteve të tjera, ndërsa 19 fluturime janë anuluar.
Guvernatori njoftoi se në Ayazağa do të vazhdojë shembja e objekteve të ndërtuara përgjatë shtratit të përroit, ndërsa ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, njoftoi 80 milionë lira ndihmë për tregtarët që kanë pësuar dëme nga përmbytjet.
