Rama: Shqipëria bëhet me studentë, jo me terroristë

Rama: Shqipëria bëhet me studentë, jo me terroristë

Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë gjatë deklaratës së tij një gur të shkulur nga bulevardi, të cilin e përdori si simbol të dhunës gjatë protestave të fundit.

“Po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Kam ardhur sot prapë me këtë me vete. Duhet ta mbash me vete, ta peshosh, sa i shtohet pesha kur vjen në drejtim të njerëzve me uniformë dhe çfarë mund të bëjë mbi këdo”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se shteti nuk mund të negociojë me dhunën, duke paralajmëruar se një gjë e tillë do të dobësonte autoritetin e tij.

“Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë, pasojat janë plagë që duhen vite për t’u shëruar”, deklaroi ai.

Rama sqaroi se, sipas tij, kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që protestojnë në mënyrë paqësore kërkojnë përmbysjen e qeverisë.

Megjithatë, ai pretendoi se një pjesë e të rinjve janë ekstremizuar nën ndikimin e asaj që e cilësoi si një forcë të re ideologjike.

“Nuk do të thotë aspak se kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak, do përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe SHBA, që presidenti e ka shpallur organizatë terroriste, Antifën. Ata janë peng i një ideologjie të re: shkatërro gjithçka”, përfundoi Rama.

 

Në vijim të deklaratës, Rama tha se, sipas tij, partitë politike në vendet e tjera nuk kanë mbështetur personat që kryejnë akte dhune. Ai përdori gjuhë të ashpër ndaj protestuesve të maskuar dhe pretendoi se ata nuk përfaqësojnë studentët.

“Në asnjë nga këto vende asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve. Pas maskave, nuk ka studentë, por ka vetëm qenie të verbra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë, as nga shkojnë. Të cilët adhurojnë molotovin, rrëmujën dhe kaosin, dhe pastaj u turren dyqaneve”, deklaroi Rama.

Kryeministri ngriti gjithashtu pretendime për ndikimin e Antifas, shërbimeve të huaja dhe, sipas tij, të kundërshtarëve të Shqipërisë.

“Këto përdoren nga Antifa, nga shërbime të huaja dhe armiqtë e Shqipërisë. Rusia nuk është aleat i Shqipërisë, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do në BE. Nuk është rastësi që babai ideologjik i Putinit përshëndet popullin shqiptar”, tha Rama.

Rama përsëriti se qeveria është e gatshme për dialog, por se nuk do të pranojë dhunën.

Rama deklaroi se protestat e fundit, sipas tij, nuk janë revoltë për arsimin, duke bërë dallimin mes tubimeve paqësore të studentëve dhe akteve të dhunës.

Më tej, ai vuri në pikëpyetje përfshirjen e studentëve në aktet e dhunës gjatë protestave.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni