Qeveria italiane pritet të dërgojë 500 trupa ushtarakë shtesë në Milano, pas dy ditësh trazirash të dhunshme, gjatë të cilave protestuesit u përleshën me policinë, dogjën kazanë mbeturinash, plaçkitën dyqane dhe dëmtuan prona.
Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini, kreu i partisë së djathtë Liga, i cili njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se qeveria do të kalojë nga fjalët në veprime për të garantuar sigurinë në qytet.
Masa pritet të përfshihet në paketën e re të sigurisë, e cila do të shqyrtohet në mbledhjen e kabinetit qeveritar të martën. Ndërkohë, frika nga një përsëritje e episodeve të dhunës ka bërë që shumë biznese në qendër të Milanos të mbyllin dyert më herët dhe të mbulojnë vitrinat me dërrasa e panele mbrojtëse.
Gjatë fundjavës, qindra protestues, shumë prej tyre të dyshuar si të mitur, u përfshinë në akte dhune pas një demonstrate që fillimisht ishte paqësore. Protestat u organizuan kundër përkeqësimit të shërbimeve publike dhe rritjes së kostos së jetesës.
Mes bizneseve të plaçkitura ishin dyqanet e markave sportive Decathlon dhe Arc’teryx, si dhe operatori i telefonisë celulare Vodafone. Në zonat luksoze tregtare, përfshirë Via Montenapoleone dhe Galleria Vittorio Emanuele, shumë dyqane larguan mallrat nga vitrinat dhe shtuan masat e sigurisë.
Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi dhunën dhe zhvilloi të hënën një takim me ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë për të diskutuar situatën. Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi se qeveria do t’u përgjigjet me vendosmëri sulmeve ndaj shtetit, duke paralajmëruar edhe masa për të frenuar dhunën nga të miturit.
Sipas policisë italiane, gjatë trazirave të së dielës në Milano u ndaluan 271 të rinj. Mes personave të shoqëruar në komisariate, 32 u arrestuan, përfshirë 23 të mitur, ndërsa 28 të tjerë u raportuan pranë autoriteteve gjyqësore.
Tensionet nuk u kufizuan vetëm në Milano. Përleshje u regjistruan edhe në qytete të tjera veriore të Italisë, përfshirë Bolonjën, Breshian, Bergamon dhe Torinon, ku u arrestuan 28 protestues.
Autoritetet italiane po shqyrtojnë gjithashtu masa më të ashpra ligjore, përfshirë zgjatjen e paraburgimit parandalues për të miturit dhe goditjen e grupeve të dhunshme të të rinjve. Zhvillimet vijnë në një kohë kur edhe Franca po përballet me protesta të dhunshme, të nxitura nga pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike.
