Aktivistja amerikane e së djathtës, Valentina Gomez, ka mbërritur në Serbi në prag të zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 25 tetor, ndërsa ka publikuar fotografi me veteranë të luftës dhe një mesazh mbështetjeje për ish-presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në postimin e saj, Gomez ka etiketuar edhe tenistin Novak Gjokoviq, i cili më herët kishte shprehur mbështetje për studentët.
“Këta veteranë luftuan që Serbia të mbetet e krishterë dhe e sigurt. Novak Gjokoviq, ke një vend të bukur, plot me luftëtarë të jashtëzakonshëm. Jam e lumtur që jam këtu për të mbështetur Vuçiqin”, ka shkruar Gomez në rrjetin social X.
Megjithatë, Gjokoviq nuk ndodhet në të njëjtën anë politike me Gomez. Tenisti serb, që në dhjetor të vitit 2024, kishte mbështetur publikisht studentët që protestonin pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, duke theksuar se rinia e arsimuar është forca më e madhe e Serbisë.
Ai e përsëriti më vonë mbështetjen për studentët dhe të rinjtë, duke e cilësuar dhunën ndaj studentëve si humbje për shoqërinë serbe.
Edhe pse Gjokoviq nuk e ka kritikuar asnjëherë drejtpërdrejt Vuçiqin, pas këtyre qëndrimeve ai u vu në shënjestër të mediave proqeveritare në Serbi. Lista Studentore, të cilën Gomez e quan “anarkiste”, doli pikërisht nga lëvizja studentore që Gjokoviq kishte mbështetur.
KUSH ËSHTË VALENTINA GOMEZ?
Valentina Noriega Gomez ka lindur në vitin 1999 në Medellín të Kolumbisë dhe është shpërngulur me familjen në SHBA kur ishte dhjetë vjeçe. Ajo është anëtare e Partisë Republikane dhe është kandiduar dy herë pa sukses në zgjedhje.
Në vitin 2024 kandidoi për postin e sekretares së shtetit në Missouri, ku përfundoi e gjashta në zgjedhjet brenda Partisë Republikane.
Në mars të këtij viti ajo humbi edhe zgjedhjet paraprake republikane për Dhomën e Përfaqësuesve në distriktin e 31-të të Teksasit, duke marrë 10,9 për qind të votave.
PSE KONSIDEROHET KONTROVERSE?
Gomez u bë e njohur për publikun e gjerë në vitin 2024, kur dogji me flakëhedhës libra me përmbajtje LGBT nga bibliotekat.
Po atë vit publikoi një video me ekzekutimin e simuluar të një migranti dhe bëri thirrje për ekzekutime publike të migrantëve të paligjshëm të akuzuar për vepra penale të dhunshme. Për këtë veprim ajo u dënua publikisht nga Liga e Qytetarëve të Bashkuar Latino-Amerikanë (LULAC).
Në prill të vitit 2025, Gomez ndërpreu një tubim të komunitetit mysliman në ndërtesën e Parlamentit të Teksasit dhe bëri deklarata fyese ndaj Islamit. Në gusht të po atij viti, disa rrjete sociale ia mbyllën profilet pasi publikoi një video ku digjte Kuranin.
Ministria e Brendshme britanike, në prill të këtij viti, i ndaloi hyrjen në Mbretërinë e Bashkuar, me arsyetimin se prania e saj në vend nuk do të ishte në interesin publik.
Gomez e kishte mbështetur Vuçiqin edhe më 16 tetor përmes një videomesazhi në X, ku Listën Studentore e quajti “anarkiste” dhe e krahasoi atë me lëvizjen Antifa në SHBA.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të Serbisë të votojnë për Vuçiqin “ose të përgatiten që anarkistët t’ua djegin vendin”.
