Politikania amerikane që dogji Kuranin mbështet Vuçiqin: Votoni për Aleksandrin ose do t’jua djegin vendin

Politikania amerikane që dogji Kuranin mbështet Vuçiqin: Votoni për Aleksandrin ose do t’jua djegin vendin

Politikania kontroverse amerikane e së djathtës radikale, Valentina Gomez, e njohur për djegien publike të Kuranit dhe deklaratat islamofobike, ka mbështetur Aleksandar Vuçiqin përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi.

“Serbia ka zgjedhjet më të rëndësishme më 25 shtator. Aleksandar Vuçiq i jep Serbisë mundësinë të mbetet Serbi. E gjithë Evropa është nën sulm”, shkroi Gomez në rrjetin X.

Duhet theksuar se ajo gaboi datën në postim, pasi zgjedhjet në vendin fqinj mbahen më 25 tetor dhe jo në shtator. Këtë gabim e vunë re edhe shumë komentues në X.

Në mesazhin e saj, Gomez e quajti Listën Studentore një lëvizje anarkiste dhe e krahasoi me grupin “Antifa” në SHBA.
Për Vuçiqin tha se lufton për interesat e Serbisë, pasi nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, nuk e njeh Kosovën dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera diplomatike me Evropën, Rusinë dhe SHBA-në.,

“Ky është mesazhi im për popullin e Serbisë: votoni për Aleksandrin ose përgatituni që këta anarkistë, të cilët e quajnë veten Listë Studentore, t’jua djegin vendin. Zoti ju bekoftë”, deklaroi ajo.

Dogji Kuranin, Britania ia ndaloi hyrjen

Gomez ka lindur në Medellín të Kolumbisë dhe është shpërngulur në SHBA në vitin 2009. Në gusht të vitit 2025 shkaktoi reagime dënuese pasi publikoi një video ku digjte Kuranin, me mesazhin se do t’i “jepte fund Islamit në Teksas”.

Disa muaj më herët, ajo kishte hyrë në skenën e një tubimi të myslimanëve, kishte rrëmbyer mikrofonin dhe kishte nisur të fyente Islamin.

Në mars të këtij viti pësoi humbje të thellë në zgjedhjet paraprake republikane për Kongresin në Teksas, ku mori vetëm 5,6 për qind të votave. Më pas pretendoi se zgjedhjet ishin manipuluar në dëm të saj.

Para atyre zgjedhjeve, Trump kishte mbështetur kundërkandidatin e saj, John Carter. Gomez kishte kandiduar më herët pa sukses edhe në Misuri.

Në prill, qeveria britanike ia anuloi vizën dhe ia ndaloi hyrjen në vend, ku pritej të merrte pjesë në një tubim të së djathtës në Londër.

Kategoritë
LajmeRajoni