Peci: Mirëmëngjes nga Qeveria në detyrë, e cila edhe në këto rrethana ka prioritet vetëm Kosovën

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, vuri në dukje të arriturat e kësaj ministrie gjatë mandatit që ai e drejtoi këtë ministri. E bëri këtë në një postim në Facebook.

“Mirëmëngjes nga Qeveria kujdestare, në detyrë e cila edhe në këto rrethana, ka prioritet vetëm Kosovën.

Nga importi i kafshëve më dokumenta të falsifikuara të realizuar me dekada, që paraqesin rrezik për sigurinë ushqimore deri te evazioni fiskal që i është shkaktuar shtetit në vlera qindra milionëshe.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës muajve të fundit ka ndërmarrë një mori masash:

në dobi të shtetit ligjor;

sigurisë ushqimore;

parandalimit të sëmundjeve infektive; dhe

ndalimit të kontrabandës!

Vetëm në periudhën e fundit tre mujore si rezultat i veprimeve proaktive janë ndërmarrë këto hapa:

28 operatorëve ekonomikë, iu janë pëzulluar lejet e importit të kafshëve të gjalla nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian;

Prokuroria posedon faktet edhe për falsifikim të dokumentacioneve nga operatorë të caktuar ekonomikë.

Dëmi financiar i shkaktuar Republikës së Kosovës nga këta operatorë ekonomikë është qindra miliona euro, ndërsa

dëmi në cënimin e sigurisë ushqimore është i pakthyeshëm dhe i papërllogaritshëm!

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka shënuar rezultatet më të mira në histori në vitin 2024, që nga themelimi i kësaj agjencie.

Reformën dhe të arriturat e kësaj agjencie i konfirmon edhe Raporti i fundit i Progresit i Bashkimit Evropian.

Është rritur intensiteti i inspektimeve në cdo pikë ku shitet mishi, si rrjete të dyqaneve ashtu edhe në mishtore e therrëtore, si për mishin e freskët ashtu edhe për mishin e ngrirë që importohet në Kosovë.

Gjithçka në Kosovë tashmë gjurmohet falë digjitalizimit të procesit, që nga matrikula; numri identifikues i kafshës që lind, importohet, e therret!

Çdo import që realizohet, duhet ta ketë historiatin valid, ndërkaq nuk ka ndërrim të destinimit të qëllimit të importi të kafshëve e as ri-destimin. Përmes këtij sistemi, kontrollojmë tentativat për ri-eksport dhe i parandalojmë ato, qoftë të kafshëve të gjalla, qoftë të mishit të importuar.

Kemi goditur në hallkën më të fortë të zinxhirit të importuesve të kafshëve të gjalla në Kosovë, duke i mbajtur përgjegjës për tentimin e keqpërdorimit dhe mashtrimit në proces të importit.

I gjithë ky angazhim,ka zgjuar zero interesim nga mediat. Përkundrazi, ka patur interesim që herë pas here me qëllim të ushtrimit të presionit të sponzorizohen shkrime nga kontrabandues, për mos-funksionim të aparatit shtetëror dhe pritjeve të gjata në pika kufitare.

Matrikulim i mirëmenaxhuar, nga reforma në ngritje të kapaciteteve të laboratorit në vlerë prej 5.8 milionë euro, në gjurmueshmëri përmes sistemit FCMS, janë vetëm disa veprime të ndërmarra rreth sigurisë ushqimore, gjurmueshmërisë dhe parandalimit të keqpërdorimit e mashtrimit në importin e kafshëve të gjalla dhe mishit të ngrirë”, u shpreh në |Facebook , ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi