Një vit pas grabitjes së muzeut të Luvrit ende asnjë gjurmë nga bizhuteritë me vlerë 100 millionë dollarë

Një vit pas grabitjes së muzeut të Luvrit ende asnjë gjurmë nga bizhuteritë me vlerë 100 millionë dollarë

Një vit pas grabitjes së muzeut të Luvrit në Paris, gjatë së cilës u vodhën bizhuteri me vlerë të përllogaritur prej 100 milionë dollarësh, katër të dyshuarit kryesorë po presin gjykimin në paraburgim.

Policia franceze ende nuk ka arritur t’i gjejë sendet e çmuara të vjedhura nga Luvri.

Grabitja ndodhi më 19 tetor 2025, kur hajdutët, të maskuar si punëtorë dhe duke përdorur mjete industriale prerëse, hynë me forcë në muze dhe morën tetë sende me vlerë nga koleksioni i bizhuterive mbretërore dhe perandorake franceze.

Mes sendeve të vjedhura kishte bizhuteri dhe karfica që i kishin përkitur perandoreshës Eugénie, bashkëshortes së Napoleonit III. Presidenti francez Emmanuel Macron e kishte përshkruar atëherë grabitjen si një sulm ndaj historisë së Francës, transmeton France 24 duke iu referuar AFP-së.

Pavarësisht një hetimi të gjerë, ku janë angazhuar rreth 100 hetues, sendet e vjedhura ende nuk janë gjetur.

Gjurmët e fundit të njohura të bizhuterive janë regjistruar nga kamerat e sigurisë në një garazh nëntokësor në periferi të Parisit, Aubervilliers, ku jetojnë të dyshuarit.

Policia ka kontrolluar shtëpitë e tyre, banesat e familjarëve, bodrumet, garazhet dhe papafingot, por pa rezultat.

Ekspertët për gjetjen e veprave të artit të vjedhura konsiderojnë se mundësia më e madhe për rikthimin e sendeve të çmuara ekziston nëse autorët kanë vepruar në mënyrë të pavarur dhe i kanë fshehur bizhuteritë diku në zonën e Parisit.

Christopher Marinello nga agjencia private Art Recovery International vlerëson se ekziston mundësia që hajdutët t’i kenë murosur ose varrosur bizhuteritë menjëherë pas grabitjes.

Hetuesi holandez i vjedhjeve të artit, Arthur Brand, vlerësoi se njëri prej të dyshuarve mund ta zbulojë vendndodhjen e sendeve të çmuara në këmbim të një dënimi më të lehtë.

Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që grabitja të jetë kryer me porosi të një grupi të organizuar kriminal, të cilit autorët mund t’ia kenë dorëzuar bizhuteritë pasi janë larguar nga muzeu.

Dy nga të dyshuarit kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje se në organizimin e grabitjes ishte përfshirë edhe një person tjetër si porositës, por sipas një burimi të afërt me çështjen, hetuesit po i trajtojnë këto pretendime me rezervë.

Shqetësim të veçantë ngre mundësia që sendet e çmuara tashmë të jenë çmontuar dhe diamantet të jenë riprerë, në mënyrë që të fshihen gjurmët e origjinës së tyre.

Kategoritë
BotaLajme