– Institucioni lëshoi gjithashtu një alarm portokalli për humbjet ekonomike, duke paralajmëruar se dëme të konsiderueshme janë të mundshme dhe se ndikimi mund të jetë i përhapur
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.0 ka goditur Rajonin Autonom të Tibetit në Kinë, të cilin Pekini zyrtarisht e quan Rajoni Autonom Xizang, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) paralajmëroi për dëme potencialisht të përhapura, transmeton Anadolu.
Tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 10 kilometrash, rreth 183 kilometra larg qytetit Nagqu, në pjesën veriore të rajonit, në orën 22:33 me kohën lokale.
USGS lëshoi një alarm të verdhë për viktima të mundshme si pasojë e lëkundjeve, duke treguar se mund të ketë viktima.
Institucioni lëshoi gjithashtu një alarm portokalli për humbjet ekonomike, duke paralajmëruar se dëme të konsiderueshme janë të mundshme dhe se ndikimi mund të jetë i përhapur.
“Humbjet ekonomike të vlerësuara janë më pak se 1 për qind e PBB-së së Kinës. Ngjarjet e mëparshme me këtë nivel alarmi kanë kërkuar reagim në nivel rajonal ose kombëtar”, thuhet në njoftimin e USGS-së.
Deri më tani nuk ka raportime të menjëhershme për viktima apo dëme materiale.
USGS bëri të ditur se popullsia e këtij rajoni zakonisht jeton në ndërtesa që janë të cenueshme ndaj lëkundjeve të tërmeteve.
Rajoni u godit në gusht nga përmbytje shkatërruese të menjëhershme, të shkaktuara nga një ortek akulli dhe shkëmbinjsh në malin Langtang Lirung, në Nepal.
Gati 1.500 persona humbën jetën në të dyja anët e kufirit, ndërsa mijëra të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Në anën kineze, numri i të vdekurve mbetet 43, ndërsa 519 persona rezultojnë të zhdukur, përfshirë 261 shtetas të huaj në Tibet.