Policia kroate ndaloi të enjten në autostradën A3, pranë Slavonski Brodit, një shtetas gjerman 45-vjeçar për shkak të simboleve të vendosura në makinën e tij. Atij iu shqiptua një gjobë prej 700 eurosh, të cilën e pagoi në vend.
Sipas policisë, shoferi drejtonte një BMW të zezë, në të cilën ishin vendosur flamuri rus dhe ngjitëse të ndryshme. Në derën e pasagjerit të përparmë, siç shihet në pamje, ndodhej edhe një kryq.
Shoferi u gjobit për simbolet e lartpërmendura, ndërsa pamjet e kontrollit policor i publikoi në rrjetet sociale.
Në dy video ai i drejtohet kamerës ndërsa policia kryen procedurat ndaj tij, kurse në dy të tjera filmon duke ndjekur makinën e policisë. Në njërën prej tyre tha se “policia kroate kërkon që t’i heqë flamujt rusë nga makina”.
Drejtoria e Policisë së Brod-Posavinës konfirmoi se ndaj shoferit është nisur procedurë kundërvajtëse për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Në një vend të dukshëm në makinë kishte vendosur një simbol në formën e një ngjitëseje me flamurin e një shteti të huaj, si dhe një vizatim me përmbajtje të papërshtatshme, që prish rendin dhe qetësinë publike, përkatësisht fyen ndjenjat e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Siç sqaroi policia, është shkelur dispozita ligjore që parashikon dënim për këdo që, në një vend publik, prish rendin dhe qetësinë përmes interpretimit apo transmetimit të këngëve dhe teksteve, ose mbajtjes dhe shfaqjes së simboleve, fotografive dhe vizatimeve. Për këtë kundërvajtje parashikohet gjobë nga 700 deri në 4.000 euro ose burgim deri në 30 ditë.
Sipas Index, duke gjykuar nga profili i tij në Instagram, bëhet fjalë për një rus, i cili, sipas të dhënave të policisë, ka edhe shtetësi gjermane.
I njëjti portal shkruan se, pas ndalimit në Kroaci, ai vazhdoi rrugën drejt Serbisë, nga ku publikoi një seri videosh nga vende të ndryshme me mesazhin: “Serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë”.
