“Ne po luftojmë për mbijetesë, ndërsa ata po marrin para në Bosnjë”: Punët e njerëzve të Trumpit me Dodikun shkaktojnë stuhi në Uashington

“Ne po luftojmë për mbijetesë, ndërsa ata po marrin para në Bosnjë”: Punët e njerëzve të Trumpit me Dodikun shkaktojnë stuhi në Uashington

Zbulimi i mediave amerikane se dy operativë të rëndësishëm politikë të Donald Trumpit, Chris LaCivita dhe James Blair, kanë marrë qindra mijëra dollarë nga autoritetet e Milorad Dodikut në Bosnjë-Hercegovinë për konsulencë zgjedhore, ka shkaktuar zemërim të madh brenda Partisë Republikane (GOP).

Gazetarja e Politico-s, Megan Messerly, ka ndarë reagimet dhe mesazhet që ka marrë nga operativë republikanë të zemëruar në terren, në një kohë kur në SHBA po zhvillohet një garë zgjedhore e tensionuar dhe e pasigurt.

“Mbrëmë mora një mori mesazhesh nga operativë republikanë të zemëruar për këtë histori…”, shkroi Messerly.

Njëri prej tyre, në mosbesim të plotë, përshkroi se si shihet brenda partisë angazhimi i njerëzve më të afërt të Trumpit në Bosnjë-Hercegovinë:

“Ne këtu po luftojmë për mbijetesë, ndërsa këta tipa po marrin qindra mijëra dollarë në një vend diku larg, plot me bashkëtingëllore, për të cilin askush nuk ka dëgjuar kurrë, dhe pastaj na thonë të qetësohemi sepse ‘ata i kanë të gjitha nën kontroll’.”

Nga ana tjetër, kampi i Trumpit po përpiqet ta zbusë dëmin dhe t’i mbrojë njerëzit e tij kyç. Sipas gazetares, nga “bota e Trumpit” po u përgjigjen kritikave duke pretenduar se Blair, pavarësisht angazhimit në Bosnjë-Hercegovinë, “punon fjalë për fjalë ditë e natë për zgjedhjet amerikane”, për analizimin e sondazheve dhe strategjitë në terren.

Kujtojmë se pas raportimeve të New York Times kishte reaguar edhe vetë Donald Trump, duke u përpjekur ta distanconte veten dhe strukturën zyrtare nga punët private të LaCivita-s dhe Blair-it.

Trump shkroi në rrjetin e tij Truth Social se ata nuk janë punonjës të përhershëm të tij, por konsulentë të jashtëm, të cilët ligjërisht kanë të drejtë të punojnë për më shumë se një klient.

“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse si konsulentë të jashtëm. Ka shumë gjasa që të kenë klientë të shumtë, por për këtë duhet t’i pyesni ata. U lejohet të punojnë edhe për të tjerë, ashtu si të gjithë konsulentët në Uashington”, shkroi Trump, duke shtuar se do ta shqyrtojë rastin dhe do ta ndërpresë menjëherë bashkëpunimin nëse konstatohet konflikt interesi.

Sipas informacioneve të New York Times, Qeveria e Republikës Srpska i kishte angazhuar Blair-in dhe LaCivita-n përmes një firme ligjore në Uashington para zgjedhjeve në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa secili prej tyre ka marrë honorare prej disa qindra mijëra dollarësh.

Sipas analizave amerikane, ky rast përbën një tjetër shembull se si bashkëpunëtorë të afërt të Trumpit realizojnë përfitime të mëdha financiare duke punuar për politikanë të së djathtës ekstreme jashtë vendit, të cilët sfidojnë bashkësinë ndërkombëtare.

Ajo që i irriton më së shumti republikanët në terren në SHBA është vetë koha e këtij angazhimi. Ndërsa në Amerikë po zhvillohet një betejë vendimtare për çdo votë, disa nga strategët kryesorë të ekipit MAGA të Trumpit kanë punuar për partinë e Milorad Dodikut.

Kategoritë
BotaLajme