Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për anëtarësim të shpejtë të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian, në hapje të Samitit të Procesit të Berlinit në Budva.
Merz iu drejtua liderëve të Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se Gjermania mbështet rrugën e tyre evropiane.
“Anëtarësimi juaj në BE është ajo që ne dëshirojmë. Mund të llogarisni në mbështetjen e Gjermanisë dhe në mbështetjen time personale”, deklaroi Merz.
Në të njëjtën kohë, kancelari gjerman u bëri thirrje vendeve të rajonit që të ndërmarrin reforma të mëtejshme.
“Ne si BE i kemi përmbushur pritjet, por edhe ju duhet t’i përmbushni ato. Reformat dhe vullneti politik duhet të vijnë nga ana juaj”, tha Merz.
Vendet e Ballkanit ndodhen në faza të ndryshme të procesit të gjatë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa shumica prej tyre presin prej vitesh t’i bashkohen bllokut evropian.
Sipas agjencisë DPA, Mali i Zi pritet të jetë vendi i parë që do të anëtarësohet, ndërsa negociatat e anëtarësimit pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.
