Merz: Dialogu Kosovë – Serbi po e mban peng rajonin

Merz: Dialogu Kosovë – Serbi po e mban peng rajonin

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos mbeten të bllokuara në të kaluarën, duke paralajmëruar se retorika përçarëse dhe polarizimi nuk ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë evropiane.

Sipas Merzit, mosprogresi në dialogun Kosovë – Serbi po e mban peng të gjithë rajonin, duke bërë thirrje që urgjentisht të ketë përparim.

Në fjalimin hapës të Samitit të Procesit të Berlinit, Merz ka theksuar se, nëse synohet një e ardhme më e mirë për brezat e rinj, vendet e rajonit duhet t’i shmangin gjuhën e urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, duke aluduar te Serbia dhe homazhet e saj për Ratko Mlladiqin, shkruan rtv21.

“Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk mund të na çojnë drejt një Evrope më prosperuese, dhe historia nuk do ta vlerësojë mirë këtë shoqëri në këto kohë komplekse. Në vitin 2008, Procesi i Berlinit refuzoi përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë atij zjarri, por duhet t’i përmbahemi bazës evropiane. Kjo ka të bëjë edhe me normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë–Beograd, që po pengon përparimin e të gjithëve. Ne inkurajojmë urgjentisht përgjegjësi dhe përparim në këtë drejtim”, ka thënë Merz.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi