Mbreti britanik Charles III, gjatë një banketi solemn në Kështjellën Windsor për nder të Sulltanit të Omanit, Haitham bin Tariq, mbajti një pjesë të fjalimit të tij në gjuhën arabe.
Ndër të tjera, ai citoi një hadith të Profetit Muhamed për popullin e Omanit.
“Siç ka thënë Profeti Muhamed për karakterin e popullit të Omanit: ‘Po të kishe shkuar te populli i Omanit, ata as nuk do të të fyenin dhe as nuk do të të godisnin’”, tha mbreti.
Pamjet ku Charles shqipton hadithin në arabisht u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.
Mbreti e nisi fjalimin në gjuhën arabe, duke i uruar mirëseardhje sulltanit si një “mysafir prej të cilit nuk mërzitesh kurrë”.
Në arabisht ai citoi gjithashtu poetin omanez Abu Muslim al-Bahlani.
“Qofshin kopshtet tuaja përgjithmonë të gjelbra dhe flladi i tyre të mbajë aromën e paqes”, tha mbreti Charles.
Fjalimin e përfundoi me një bekim nga poeti omanez Shaykh al-Baiyaan, sërish në gjuhën arabe.
“Jetofsh në përmbushje, i shoqëruar nga bekimet e pafundme të Zotit tënd, Dhuruesit”, shtoi ai në fund.
MESAZH PËR HORMUZIN
Charles vlerësoi rolin e Omanit si ndërmjetësues që gëzon besimin e të gjitha palëve. Ai veçoi përpjekjet e Omanit për të mbajtur të hapur një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë.
“Roli i Omanit në Gjirin Persik dhe ‘neutraliteti i tij konstruktiv’, siç e keni quajtur ju, ka rëndësi shumë përtej Hormuzit dhe meriton respektin tonë më të thellë”, tha mbreti.
Charles kujtoi edhe Sulltanin e ndjerë Qaboos, të cilin e cilësoi si një mik dhe vëlla të dashur. Vizitën e tij të parë në Oman, 46 vjet më parë, ai e përshkroi si fillimin e një miqësie të gjatë.
Mbreti foli gjithashtu për sfidat bashkëkohore, përfshirë ndryshimet klimatike, inteligjencën artificiale, e cila sipas tij sjell njëkohësisht mundësi dhe rreziqe, si dhe konkurrencën për burime.
Sulltani Haitham po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar për një vizitë shtetërore treditore, nga 20 deri më 22 tetor.
Vizita e mëparshme shtetërore e një sulltani të Omanit në Mbretërinë e Bashkuar ishte zhvilluar në mars të vitit 1982, kur Mbretëresha Elizabeth II kishte pritur Sulltanin Qaboos bin Said.
