Marine Le Pen: Franca është në një krizë të thellë që kërcënon demokracinë

Marine Le Pen: Franca është në një krizë të thellë që kërcënon demokracinë

Kandidatja e Tubimit Kombëtar (RN) në zgjedhjet presidenciale, Marine Le Pen, ka reaguar të dielën, një ditë pas dhunës që shpërtheu gjatë protestave kundër rritjes së kostos së jetesës në Francë.

“E patë dje qytetet tona, rrugët tona, vendin tonë të lodhur, të keqtrajtuar dhe të shkatërruar. Po jetojmë një krizë të thellë besimi dhe autoriteti, e cila përbën kërcënim për demokracinë. Kjo gjendje duhet të na alarmojë: vendi ynë është i mbërthyer, madje i marrë peng, mes dhunës dhe pafuqisë”, shkroi Le Pen në profilin e saj në rrjetin X.

Ajo kritikoi ashpër pushtetin aktual, duke e përshkruar si “pushteti i Macronit në fund të forcave, i rraskapitur dhe i çorientuar”.

“Autoriteti i shtetit është vënë në pikëpyetje. Republika është goditur. Po paguajmë çmimin e dekadave të tërheqjes dhe heqjes dorë”, tha ajo.

Le Pen theksoi se pakënaqësia e qytetarëve është e justifikuar, por përgjegjësinë për dhunën ia atribuoi së majtës.

“Miliona francezë janë të zemëruar, por nuk thyejnë dhe nuk plaçkitin. LFI dhe degët e saj janë zjarrvënës socialë, ata një problemi i shtojnë një problem tjetër”, tha Le Pen, duke iu referuar partisë Franca e Panënshtruar (La France insoumise).

Që të shtunën në mbrëmje, Le Pen kishte shkruar në rrjetin X se protestuesit e dhunshëm, sipas saj, me plaçkitje, shkatërrime dhe sulme ndaj policisë i kishin dëmtuar sërish protestat për mbrojtjen e fuqisë blerëse dhe se e majta ekstreme kishte marrë edhe një herë peng kërkesat legjitime sociale.

Qeveria franceze po përballet me një valë kritikash për mënyrën se si reagoi ndaj ngjarjeve të së shtunës.

Kategoritë
BotaLajme