Macron pas trazirave në Francë: Ndaj atyre që ushtrojnë dhunë do të jemi të pakompromis

Macron pas trazirave në Francë: Ndaj atyre që ushtrojnë dhunë do të jemi të pakompromis

Presidenti francez Emmanuel Macron iu drejtua sonte kombit, një ditë pasi dhuna dhe plaçkitjet shënuan protestat kundër kostos së lartë të jetesës në Paris dhe në një sërë qytetesh të tjera franceze.

“Duke parë këtë dhunë, pyetëm veten se si francezët mund t’ia bëjnë këtë Francës. Të gjithë sonte ndiejmë zemërim dhe turp”, tha Macron. Ai pyeti gjithashtu pse ishte e nevojshme të digjej ndërtesa e bashkisë në Limoges dhe zyra turistike në Lyon.

“Dua të jem i qartë me ata që thyejnë dhe me të gjithë ata që ushtrojnë dhunë. Do të jemi të pakompromis. Dëgjimi dhe dialogu nuk nënkuptojnë as dobësi, as pandëshkueshmëri”, deklaroi presidenti francez.

Ai theksoi se ata që ushtruan dhunë nuk duhet të ngatërrohen me protestuesit që i shprehën kërkesat e tyre në mënyrë paqësore.

Shqetësimet për koston e jetesës dhe rritjen e çmimeve të karburanteve ai i cilësoi si të justifikuara.

Macron premtoi transparencë të plotë lidhur me strategjinë e policisë gjatë protestave të së shtunës. Qeveria ndodhet nën presionin e opozitës dhe të një pjese të kryetarëve të komunave për mënyrën se si u menaxhuan demonstratat.

Ai iu drejtua edhe tregtarëve, disa prej të cilëve i mbrojtën vetë dyqanet e tyre. Macron u tha se nuk do të mbeten vetëm.

Ai njoftoi se kryeministri Sébastien Lecornu nga nesër do të udhëheqë një shtab krize, i cili duhet të sigurojë sa më shpejt ndihmë për të dëmtuarit. Sipas Macronit, Lecornu në ditët në vijim do të mbledhë edhe përfaqësues të partive politike, sindikatave, nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve.

Macron e përfundoi fjalimin me mesazhin se Francës i duhen “unitet, paqe dhe respekt”.

Në protestat e 17 tetorit morën pjesë nxënës të shkollave të mesme, studentë, “jelekët e verdhë”, sindikata dhe prindër.

Në disa qytete protestat u shndërruan në përleshje dhe plaçkitje. Në Paris, Marseille, Lyon dhe Limoges u sulmuan shumë dyqane dhe ndërtesa publike, ndërsa ndërtesa e bashkisë në Limoges u shkatërrua në masë të madhe nga zjarri.

Kryeministri Lecornu njoftoi se janë ndaluar 1.200 persona.

Tensionet vazhduan edhe të dielën. Në zonën përreth sheshit Place de la République në Paris u plaçkit të paktën një dyqan dhe u ndezën zjarre.

Para fjalimit, Macron zhvilloi në Pallatin Élysée një takim me kryeministrin dhe ministrat përkatës.

Pavarësisht situatës në vend, presidenti francez e mbajti në fuqi vizitën e planifikuar në katër vende të Gjirit Persik, nga e hëna deri të mërkurën.

Kategoritë
BotaLajme