“Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, ka shkruar Kurti për takimin.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Malin e Zi, ka takuar kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, me të cilin biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se të gjitha shtetet kandidate për në BE duhet të trajtohen njëlloj, gjë që ka theksuar se e ka thënë edhe kancelari Stocker.
Kurti ka theksuar se pas përparimit në SEPA, Kosova po pret tani nisjen e negociatave në integrimin në zonën roaming të BE-së.
“Mbështes deklaratën e Kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte. Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, ka shkruar Kurti për takimin.
Kurti në hapje të samitit të enjten deklaroi se Kosova duhet ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE.
Kurti tutje tha tha se me kancelarin austriak kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin ekonomik në fushën e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale, ku kompanitë austriake dhe diaspora kosovare tha se po investojnë gjithnjë e më shumë.
Në fund ai ka përmendur edhe dy ndeshjet e futbollit midis Kosovës dhe Austrisë, ku Kosova humbi me rezultat 3 me 1 në Vjenë, ndërsa barazoi 1 me 1 në Prishtinë, për të cilën Kurti tha se “po afrohemi gjithnjë e më shumë edhe në fushën e lojës”.